Ka ndodhur

Avioni i rrëzuar në Vermosh drejtohej nga dy shqiptarë

Avioni i rrëzuar në fillim të muajit tetor në zonën e Vermoshit drejtohej nga dy shtetas shqiptarë, që policia dhe prokuroria i ka shpallur në kërkim.

Identiteti i personave nuk bëhet me dije nga ana e grupit hetimor, me arsyetimin se hetimet vijojnë, por burime zyrtare të cituara nga ABC thonë se identifikimi i tyre është bërë mbi bazën e gjurmëve të gishtërinjve që janë analizuar në mjet dhe fijet e flokëve të gjetura po aty.

Grupi hetimor thotë se është duke punuar për të identifikuar dhe gjetur edhe personat e tjerë që mund të kenë lidhje, ose dijeni me këtë ngjarje nën dyshimet se në momentin e defektit, avioni ka qenë duke u përdorur për transport droge.

Mënyra e sofistikuar e transportit ka shtyrë grupin hetimor në dyshimet se pas ngjarjes qëndrojnë grupe të fuqishme kriminale, ndërsa prova janë siguruar edhe në lidhje me makinën fuoristradë me të cilën dyshohet se u larguan dy personat që ndodheshin në avion.

Sipas dëshmive të banorëve vendas, makina ishte pa targa dhe e ngjashme me mjetet e përdorura nga policia kufitare në këtë zonë. Dyshohet se destinacioni i drogës ka qenë Mali i Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë