Futboll

Aventurë e re për Besnik Hasin, ish-kapiteni kuqezi merr drejtimin e Meshelenit

Gazeta Si - Besnik Hasi ka nisur një aventurë të re si trajner. Ai është emëruar në krye të ekipit belg të Meshelenit, pas aventurave që ka pasur më parë tek Anderlehti po në Belgjikë, Legia në Poloni, Olimpiakosi në Greqi dhe Al Raed në Arabi.

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare e njeh mirë futbollin belg, sepse aty ka kaluar gjithë karrierën si futbollist, tek Anderlehti. Po këtu nisi edhe karrierën e trajnerit, duke pasur sukses si kur ishte vetë në fushë, edhe më pas në stol.

Tani Hasi merr drejtimin e Meshelenit, që është një ekip mjaft i njohur në Belgjikë. Ai do të debutojë në fundjavë në stolin e këtij ekipi dhe këto ditë do të njohë nga afër grupin e futbollistëve.

“Si lojtar dhe si trajner nuk e kam pasur të lehtë të luaja këtu. Ka një atmosferë të mrekullueshme dhe shpresoj që të sjell entuziazëm në radhët e tifozëve me mënyrën time të lojës”, - theksoi mes të tjerash Hasi pas marrjes së detyrës së re.

Mesheleni mban vendin e 14-të në kampionatin belg dhe ndeshjen e radhës e ka me Sharlërua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë