Gazeta Si – Kombëtarja kuqezi ka mbërritur pasditen e së dielës në Ishujt Faroe, pas një udhëtimi të gjatë dhe të veçantë. Nga ora 09.30 skuadra u nis drejt Oslos në Norvegji, pasi jo të gjithë avionët ulen në Torshavn të Ishujve Faroe.
Specialistët e udhëtimeve tregojnë se në ato ishuj aq të vegjël, është e pamundur të ulen të gjithë avionët dhe për këtë asye janë vetëm linjat vendase, të cilat kanë avionë me një pajisje të veçantë që mund të bëjnë ulje në pista aq të vogla dhe me erëra të forta. Ishujt ndodhen në një distancë thuajse të barabartë mes Islandës (430 km) dhe Norvegjisë (580 km) në mes të oqeanit.

Për këtë arsye, nga Oslo kuqezinjtë u nisën rreth orën 16.30, për të mbërritur atje pas rreth dy orësh. Një qytet-shtet, nëse mund të quhet ndryshe Torshavni, i cili sipas vendasve ka një popullsi rreth 45.000 deri në 50.000 banorë. Një popullsi në një vend të çuditshëm dhe të izuoluar, ku vendasit deklarojnë se i vetmi aktivitet i tyre është peshkimi, por edhe delet, pasi si me të qeshur ata tregojnë: “Kemi më shumë dele se njerëz, rreth 90.000…”
Skuadra ka qëndruar pushim të hënën paradite, thuajse e izoluar në hotel, pasi edhe vendet janë të kufizuara, atje ku i ka pritur një klimë disi ndryshe, me temperatura më të ulta dhe mjegull. Për të zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore mbërmjen e djeshme, duke qenë se gjithçka ishte përgatitur në grumbullimin 14-ditor në Tiranë.
Stadiumi i vetëm i vendit, ku do të zhvillohet ndeshja, është rreth 6000-vendësh dhe mbrëmjen e sotme, në orën 20:45 me orën tonë lokale, do të zhvillohet ndeshja e 3-të kualifikuese e kuqezinjve. Të shtunën e shkuar Ishujt Faroe u mundën 0-3 nga Republika Çeke dhe konsiderohen si skuadra më e dobët e grupit.

Gazeta Si ka mundur të sigurojë disa pamje nga ky vend i çuditshëm, ku Shqipëria do të përpiqet të plotësojë objektivin momental, atë të marrjes së 3 pikëve, ashtu si ndaj Moldavisë, duke i lënë radhën më pas ndeshjeve të muajit tetor, që janë më të fortat e grupit, me Republikën Çeke dhe Poloninë në kryeqytet. Këto ndeshje do të vendosin shumë ër qëllimin tonë kryesor, që është kualifikimi për në Europianin ‘Gjermani 2024’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




