Politike

Avdullah Hoti kandidat i LDK për kryeministër të Kosovës

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës u pajtua të enjten (23.04) që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër në qeverinë e re të Kosovës. Avdullah Hoti ishte zëvëndëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit, por menjëherë pas mocionit të mosbesimit, Kurti e shkarkoi atë nga pozita që mbante. Emri i Avdullah Hotit, doli nga mbledhja e kryesisë së LDK-së, që pritet të marrë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, njoftoi kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Ky i fundit tha, se "ishte qëndrim i LDK-së që ai vet të jetë kandidati për kryeministër”, por për arsye shëndetësore nuk ka mundur ta pranojë këtë nominim.
Vetëm pak orë më parë presidenti Hashim Thaçi, bëhet e ditur se i ka kërkuar zyrtarisht LDK-së, që t'ia dërgoi atij emrin e mandatarit për krijimin e qeverisë pasi LDK garanton që e ka siguruar shumicën parlamentare. LDK, në zgjedhjet e fundit doli partia e dytë pas Vetëvendosjes. "Pas mosdërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër 5 kërkesave nga ana e Presidentit të vendit, si dhe në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së, Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së presidentit.
Sapo LDK t'ia dërgojë zyrtarisht presidentit emrin e Avdullah Hotit për kryeministër, atëherë presidenti duhet ta mandatojë zotin Hoti për krijimin e qeverisë së re, mbi bazën e një afati kushtetues prej dhjetë ditëve.
Formimi i qeverisë së re të Kosovës, duhet të votohet në parlament me të paktën 61 vota për. Qeveria e re e Kosovës, pritet kështu të jetë nga LDK-së në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet e tjera joshumicë.
Qeveria e Albin Kurtit, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i inicuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po kërkon zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese po e clëson antikushtetuese. Kurti ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Gjatë pasditës së djeshme, presidenti Hashim Thaçi, pas një takimi që zhvilloi me të gjithë përfaqësuesit e partive politike deklaroi se ai do t'ia japë mandatin për formimin e qeverisë asaj partie politike që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend./DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë