Futboll

Auzilio: Shoh një të ardhme të bukur të futbollit shqiptar, do shoh ndeshjen me Çekinë

Gazeta Si – I ftuar special në ceremoninë e diplomimit të drejtorëve të rinj sportivë, Piero Auzilio, drejtori sportiv i Interit, vizitoi sot ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Ai u takua me trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, stafin e tij dhe disa nga lojtarët kuqezi, veçanërisht me Kristjan Asllanin.

Auzilio foli për mediat e pranishme në lidhje me interesimin e Interit për Brojën, duke e mohuar atë. Drejtori i klubit zikaltër u shpreh se për momentin nuk ka interesim për sulmuesin kuqezi.

Në prononcimin për fshf.org, Auzilio mes të tjerash theksoi se do të ndjekë nga afër ndeshjen me Çekinë në “Air Albania”: “Silvinjon kam pasur mundësi ta njoh nga afër kur punonte me Mançinin tek Interi. Shoh lëvizjen futbollistike shqiptare me një të ardhme shumë të bukur, të enjten do të shoh ndeshjen e Kombëtares dhe jam i bindur se do të jetë një eksperiencë shumë e bukur.”

Për drejtorët e rinj sportivë në vendin tonë, italiani dha këtë mesazh: “Duhet të punojnë me shumë pasion. Të bësh drejtorin sportiv është një profesion shumë i bukur, por edhe punë sakrificash, mundi, kompetenca. Në fund, nëse dikush i ka të gjitha këto cilësi dhe këtë predispozicion, edhe sukseset do të mbërrijnë”.

Prononcimin e tij Auzilio e mbylli me një vlerësim për tifozët: “Është krenari të shohësh gjithë këta njerëz, gjithë këtë pasion, tifozët tanë janë fantastikë, më jep forcë për të punuar dhe për t’i bërë gjërat mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë