Treg

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të mallrave të shportës gjatë festave të fundvitit

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një proces monitorimi të posaçëm në tregun e mallrave të shportës, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit deri më 15 janar 2026.

Qëllimi i këtij monitorimi është verifikimi i ecurisë së çmimeve dhe i sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, me synim parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.

Monitorimi përfshin mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht: makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal.

Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që mund të cenojë funksionimin normal të tregut.

Pak ditë më parë, AK gjobiti gjashtë kompani të grumbullimit të fruta-perimeve për marrëveshje të ndaluar për të fiksuar çmimin në dëm të fermerëve dhe konsumatorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë