Kosova

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim ndaj MTS, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë. Ky hetim është nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet e tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa, thotë se është nxjerrë një konkluzion për fillimin e procedurës kundër MTS D.O.O, e cila operon në tregun e Kosovës me ofrim të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor. “Në fund të vitit 2022 kemi filluar monitorim të theksuar të tregut të telekomunikimeve… MTS sapo është njoftuar për faktet paraprake të konstatuara dhe do të ftohet në seancë dëgjimore para komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Vetëm pas kësaj seance komisioni do të tërhiqet të marrë një vendim”, u shpreh Beqa.

“Hetim ndaj ndërmarrjes MTS kishte nisur lidhur me mos paraqitjen e dokumentacionit mbi përqendrimet, ashtu si e parasheh ligji. Ndërmarrja dështoi të paraqesë pranë autoritetit transaksionet me të cilat kishte blerë disa ndërmarrje në vendbanime të ndryshme të Kosovës duke i blerë ato pa e paraqitur modifikimin në autoritet dhe mbi këtë bazë ne kemi hapur hetim.

Beqa tregon se MTS ka blerë së paku katër ndërmarrje rajonale, kryesisht në zona ku banojnë serbë. “Në veri dhe gjithsej 11 komuna gjithandej duke filluar nga veriu, komuna e Shtërpcës, Graçanicës e tjera, ku ka vendbanime të komunitetit serb. Është i habitshëm ky fakt por kështu është”, thotë Beqa. /EO


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë