Gazeta Si – Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se do të kërkojë më shumë kohë dhe kryerjen e një procedure vlerësimi më të thelluar, lidhur me transaksionin e shitjes së operatorit celular ONE te kompania hungareze 4iG.
Në mbledhjen e datës 31 janar, bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim horizontal, i cili mund të krijojë pozitë dominuese të palëve në marrëveshje dhe mund të sjellë mbivendosje të aktiviteteve të tyre në nivel kombëtar.
Shoqëria 4iG sapo ka hyrë në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri, pas mbylljes së marrëveshjes për përftimin e kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom.
Ky transaksion u autorizua nga Autoriteti i Konkurrencës, por nuk ka marrë ende miratimin zyrtar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Nëpërmjet transaksionit të ri të njoftuar, shoqëria 4iG synon të marrë kontrollin e një konkurrenti tjetër në këtë treg, One Telecommunications.
Në fund të 9-mujorit 2021, ONE dhe Albtelecom zotëronin gjithsej 57% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë të telefonisë ceulare. Lidhur me vlerësimin e peshës së tregut sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, të dhënat më të fundit të disponueshme janë ato të vitit 2020. Të marra së bashku, të ardhurat e ONE dhe të ardhura e Albtelecom nga shërbimet celulare arritën në 11.2 miliardë lekë ose rreth 47% të volumit të përgjithshëm të tregut cellular në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




