Treg

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar për tregun e hidrokarbureve mbi rritjen e çmimit të naftës

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka thënë se tregu i hidrokarbureve është tashmë nën hetim nga AK-ja prej një jave, për shkak të rritjes së çmimeve.

Ka dyshime për një sjellje të bashkërenduar, ku bizneset mund të kenë bërë një marrëveshje të fshehtë me njëra-tjetrën, sipas Bibës.

“Çmimet janë të rëndësishme. Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit, mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona”, – tha kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.

Më tej ai shtoi se në përfundim të hetimeve, do të vërtetohen dyshimet apo është ndikim i tregjeve ndërkombëtare.

Më herët gjatë ditës lidhur me hetimin në tregun  e bukës dhe rritjes së çmimeve në të, Biba tha se çmimet nuk janë indicie e mjaftueshëm për të kuptuar nëse një biznes po abuzon apo jo.

Nga viti 2020 deri më tani, AK ka hapur të paktën 3 hetime të thelluara për tregun e hidrokarbureve në vend, për të mos gjobitur asnjërin prej tyre.

 Aktualisht, një litër naftë po shitet mesatarisht me 196 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 198 lekë për litër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë