Treg

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për tregun e karburanteve

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve.

Shkak i këtij hetimi është rritja e çmimit të naftës. AK shprehet se rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës është reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë duke rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor. Autoriteti ka nisur një monitorim të tregut gjatë muajit shkurt, për të vlerësuar tendencat e çmimeve të karburanteve diesel dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve.

“Nga deklaratat e marra gjatë monitorimit, u konstatua se në muajt e fundit ka patur një rritje periodike të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Në periudhën e monitorimit, çmimet arrinin deri në 194 lekë për litër dhe vendimi i AK është marrë në fund të muajit shkurt; por gjatë muajit mars çmimet kanë nisur një tjetër rritje galopante dhe kanë prekur çmime rekord të të gjitha kohërave. Në mesin e kësaj jave, çmimi i karburantit diesel dhe benzinë ka arritur deri pranë kufijve të 300 lekëve për litër.”

Ndërkohë, Shoqata e Hidrokarbureve ka deklaruar se kompanitë nuk po abuzojnë me çmimet, por po ndjekin bursën ndërkombëtare.

Autoriteti i Konkurrencës kishte mbyllur një hetim të thelluar në tregun e karburanteve vetëm në dhjetor të vitit të kaluar. Hetimi në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve përfshiu periudhën kohore nga 1 Janari 2017 deri në 30 Tetor 2020 dhe nuk evidentoi shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë