Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka njoftuar të premten se mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 në javët e fundit.
Krasniqi ka deklaruar gjatë takimit të Komitetit për menaxhim të pandemisë së koronavirusit se vetëm gjatë tre javëve të fundit, ka pasur rritje prej 66 për qind të pacientëve që janë hospitalizuar. Sipas tij aktualisht janë 798 pacientë të shttuar në klinikat rajonale dhe në ato të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Krasniqi i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekzekutivit që të bëjnë planifikime për rritjen e numrit të shtretërve dhe kapaciteteve të tjera. Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse ka mbingarkesë spitalesh do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka thënë se vetëm në dy javët e fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të reja për 27.6 për qind.
“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri, por ky normalitet paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, distancën e maskën”, ka porositur Ramadani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




