Ministria e Shëndetësisë po mbron në Kuvend projektligjin për shërbimin spitalor në vend, me anë të të cilit synon ta reformojë sistemin duke prezantuar konceptin e autonomisë për spitalet publike, sipas modelit të ndjekur nga Turqia.
Projektligji ka nisur me pilotimin me spitalin memorial të Fierit, të ndërtuar në bashkëpunim me Turqinë.
Por, sa u takon spitaleve publike rajonale, autonomia duket një rrugë e gjatë që do të kërkojë disa vite kohë që të përmbyllet. Arsyeja lidhet me akreditimin.
“Spitalet nuk janë të gjitha në të njëjtin nivel dhe autonomia do të mbërrijë në mënyrë të përshkallëzuar”, tha përpara Komisionit të Ligjeve zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Sipas projektligjit të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, autonomia do të jepet për të gjithë spitalet rajonale që janë të akredituara. Akreditimi jepet me afat 3 dhe 5-vjeçar. Por, shumica e spitaleve publike rajonale janë të paakredituar, ose u përfundon akreditimi brenda këtij viti.
Nga të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare e Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore, deri në fund të vitit të kaluar janë spitalet rajonale të Korçës, Shkodrës e disa qyteteve të tjera të mëdha nuk janë të akredituar, ndërsa akreditimi përmbyllet brenda këtij viti për spitalet rajonale Vlorë, Lezhë, Durrës dhe Elbasan. Mes spitaleve të paakredituara është edhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, të cilit i ka përfunduar akreditimi vitin e kaluar.
Akreditimi përfundon këtë vit edhe për maternitetin Mbretëresha Geraldinë, ndërsa QSUT ka të akredituar tre shërbime, djegie-plastikë, endokrinologji dhe neurokirurgji deri në 2024-2025.
Mes risive të parashikuara në projektligj është edhe mundësia që vetë spitalet të mund të pranojnë sigurime shëndetësore edhe nga kompani të huaja.
Ndërkohë, socialistët patën vërejtje në lidhje me afatet për nxjerrjen e akteve nënligjore, ku është parashikuar brenda 9 muajve. Deputetja Ermonela Felaj e cilësoi të gjatë këtë periudhë kohore.
Nga PD, deputetja Dhurata Çupi deklaroi se me këtë projektligj, Ministria e Shëndetësisë do të transferojë kostot e shërbimeve spitalore te bashkitë, për të mbuluar financiarisht një shërbim që ofrohet nga pushteti qendror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje