Ka ndodhur

Automjeti përplaset me kamionin, humb jetën studiuesi shkodran

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.

Sipas policisë, një automjet tip “Benz” është përplasur me një kamion, duke përfunduar në pjesën e poshtme të tij.

Mësohet se viktimë ka mbetur Eduart Grishaj, 55 vjeç, banues në Shkodër. Ai ishte studiues dhe përgjegjës i fondit “Pipa” në Bibliotekën e Muzeut Historik, Shkodër.

Forcat zjarrfikëse dhe policisë, i janë dashur më shumë se një orë për të bërë të mundur largimin e automjetit, i cili kishte mbetur poshtë kamionit pas përplasjes së fortë.

Drejtuesi i kamionit T.M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Lezhë për veprime të mëtejshme.

“Rreth orës 20:00, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit “, mjeti tip “Benz” është përplasur me mjetin kamion, ku për pasojë ka ndërruar jetë në vend drejtuesi i mjetit tip “Benz” ende i paidentifikuar“, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë