Treg

Automjetet me qira, 100% të zëna nga turistët e huaj

Kushdo që ka tentuar të marrë një makinë me qira javët e fundit, ka marrë të njëjtën përgjigjie, atë që nuk ka asnjë automjet të lirë në dispozicion.

Sezoni turistik i kësaj vere ka përmbysur thuajse të gjithë pritshmëritë e kompanive kryesore në treg të cilat pas një viti me aktivitet shumë të kufizuar, pohojnë për Gazetasi.al se janë përballur me një fluks pune të cilin nuk e parashikonin.

Sipas tyre, ky biznes është rikuperuar me 100% dhe të gjithë makinat kanë qenë po 100% të rezervuara, duke kaluar edhe nivelet e vitit 2019 i cili njihet si viti më i mirë i turizmit ku të ardhurat nga udhëtimet  ishin 2.1 miliardë euro.

Emigrantët dhe të huajt janë kontingjenti më i mirë për makinat me qira dhe klientët më potencialë për të marrë këtë shërbim, e ky vit ka sjellë shumë turistë krahasuar me vitin e kaluar të cilët nuk erdhën si pasojë e mbylljes së kufijve.

Enterprise Albania, e cila ka një flotë prej rreth 600 makinash, tregon për Gazetasi.al se ata prisnin një rikuperim të aktivitetit por jo një tejkalim të pritshmërive dhe gjithashtu shprehet se kërkesa e lartë ka qenë e vështirë për t’u menaxhuar  teksa pandemia ka krijuar probleme në furnizimin me automjete nga prodhuesit e makinave.

“Kohëzgjatja mesatare për një automjet është 7-14 ditë. Mbulimi i një kërkese kaq të madhe ka qenë tëpër i vështirë pasi për shkak të pandemisë, flotat e makinave me qira u tkurrën, u shitën shumë nga automjetet tona dhe u kthyen në koncesionare shumë të tjera.

Për të blerë mjetet ishte shumë e vështirë dhe kishte shumë vonesa pasi edhe prodhuesit e automjeteve punonin me staf shumë të reduktuar gjë që sillte sërish vonesa në porositë tona dhe mungesë në flotë.”

Enterprise gjithashtu tregon se për shkak se janë shtuar linjat direkte nga Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo ka sjellë një prurje më të madhe të turistëve nga këto vende. Megjithatë, ajo shton se nuk kanë munguar as turistët francezë, polakë apo çekë të cilët prej disa vitesh zgjedhin si destinacion Shqipërinë tashmë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në qershor dhe në korrik kanë ardhur gjithsej rreth një milion e 800 mijë turistë të huaj, pa llogaritur hyrjet e shqiptarëve.

Ditët e vakëta të fluksit për aktorët e tregut duket se kanë qenë larg që nga maji kur shumë shqiptarë që jetonin jashtë filluan të rezervonin për pushimet duke qenë kështu një tregues indirekt që shtronte panoramën e turistëve që do të vinin këtë verë në Shqipëri dhe ecurinë e sezonit turistik.

Edhe Avis Albania, një ndër më të mëdhatë në treg, pohon të njëjtën gjë për Gazetasi.al, të gjitha automjetet kanë qenë me kohë të rezervuara dhe ka qenë shumë e vështirë veçanërisht për rezervimet e minutës së fundit.

Çmimet e makinave me qira kanë variuar sipas ditëve. Sa më shumë ditë, aq më lirë përfitohet ajo, por sigurisht që në çmim ndikon edhe tipi i makinës. Megjithatë, për një kohëzgjatje mesatare prej 12 ditësh, makinat e kategorisë ekonomike kanë një çmim mesatar rreth 35 euro.

Pavarësisht kësaj panorame pozitive që jep shpresë për rikuperimin e këtij biznesi e që tregon gjithashtu optimizëm për sezonin turistik, kompanitë me qira janë hasur edhe me problematika të cilat në fakt ngahera e kanë shoqëruar këtë sektor.

Duke qenë se përgjithësisht në këtë sezon i marrin makinat me qira për pushime, klientët janë më të shpenguar dhe herë marrin gjoba të cilat kanë kosto të mëdha për kompanitë pasi ata njihen me gjobat vetëm kur klienti është larguar.

Raportimi i një gjobe online nuk bëhet në kohë reale, mund të marrë disa ditë kohë.

Ndërkohë, klienti me shumë gjasë e ka dorëzuar makinën dhe mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë, në rastet e klientëve të huaj. Kompanitë informohen me vonesë, 24-72 orë nga momenti i marrjes së gjobës në rastin më të mirë, por ndonjëherë kjo mund të marrë edhe 5 ditë.

Vitet më të favorshme për kompanitë e makinave me qira kanë nisur që nga 2016-a sipas bilanceve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit(QKR) deri në vitin 2020 kur aktiviteti e ndali vrullin e tij për shkak të pandemisë, por tani me efektin e turistëve të huaj, aktiviteti iu rikthye sërish ritmeve të mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë