Ka ndodhur

Automatik, tritol dhe municion luftarak, arrestohet 33-vjeçari nga Durrësi

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 33-vjeçar, pasi është kapur me 1 armë zjarri automatik, 2 kallëp tritoli, 6 karikator dhe municion luftarak, të cilat i kishte për shitje.

Policia thotë se në sajë të operacionit policor “Kryqëzimi”, është vënë në pranga T. C., 33 vjeç, banues në Durrës.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë ndjekur shtetasin T. C., i cili po lëvizte nga Durrësi në drejtim të Tiranës dhe në aksin rrugor Durrës-Tiranë, tek kryqëzimi i Sukthit, kanë ndaluar mjetin tip ‘Benz’ që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 6 karikator, 2 kallëp tritoli dhe municion luftarak, të cilat ky shtetas kishte për qëllim t’i shiste, kundrejt fitimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë