Austria e ka zgjatur masën e izolimit deri më 7 shkurt, në përpjekje që të frenojë përhapjen e koronavirusit, teksa autoritetet kanë frikë se mund të regjistrojnë rritje të rasteve për shkak të varianteve të reja të virusit, që janë më ngjitës.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz tha se mbajta e distancës do të ashpërsohet dhe tani qytetarët obligohen që të mbajnë dy metra distancë nga njëri-tjetri dhe jo një metër siç ishte më parë. Ata po ashtu duhet të mbajnë maska mbrojtëse kur përdorin transportin publik dhe kur hyjnë në dyqane dhe nuk mund të përdorin më maska të bëra nga pëlhura.
Austria kishte vendosur masën e izolimit nga 26 dhjetori i vitit të kaluar dhe ishte paraparë që kjo masë të ishte në fuqi deri më 24 janar.
Kurz tha se Austria duhet që ta ulë nivelin e infektimit në 50 raste të reja në 100,000 banorë, gjatë shtatë ditëve të ardhshme. Aktualisht, Austria ka 131 raste për 100,000 banorë.
Kancelari austriak po ashtu tha se rihapja e dyqaneve, e shkollave dhe shërbimeve të tjera, të tilla si sallonet e floktarisë do të ndodhë më 8 shkurt. Por, ai shtoi se rihapja e restoranteve dhe hoteleve nuk do të ndodhë gjatë muajit të ardhshëm.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, që prej fillimit të pandemisë, Austria ka regjistruar mbi 393,000 raste me koronavirus. Prej tyre, mbi 7,000 pacientë kanë vdekur. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.