Mes tenistëve që zënë vendet e para në renditjen e përgjithshme ATP, Stefanos Tsitsipas dhe Andrej Rublev kanë kaluar në turin e tretë të Australian Open 2022. Është eliminuar ndërkohë Diego Shvartzman, i cili ka humbur ndaj Kristofer O’Konell.
Stefanos Tsitsipas vazhdon pa shumë probleme rrugëtimin në këtë edicion të Australian Open. Numri 4 në botë mundi argjentinasin Sebastian Baez 7-6, 6-7, 6-3 dhe 6-4. Dy setet e para ishin më të vështira për grekun, më pas Baez kërkoi ndihmën mjekësore, pasi pati një kontraktim dhe Tsitsipas përfitoi nga kjo situatë.

Andrej Rublev vendosi ‘ligjet’ e tij kundër Rikardas Berankis në tre sete të dominuara, 6-4, 6-2, 6-0. Tenisti rus do të ndeshet me Marin Çiliç në fazën e 1/16-ve. Në turin e tretë nuk do të jetë Diego Sebastian Shvartzman, por Kristofer O’Konell. Australiani 27-vjeçar, numri 175 në botë, arrin kështu rezultatin më prestigjioz në karrierë.
Surpriza ka edhe te femrat. Numri 2 në botë, bjellorusja Arina Sabalenka mundi me përmbysje 1-6, 6-4 dhe 6-2 kinezen Xiniu Uang, ndërsa Garbine Muguruza Blanko (numri 3) u eliminua nga francezja Alize Kornet me një 6-3 të dyfishtë. Është eliminuar edhe Anet Kontaveit nga danezja Klara Tauson. Anastasia Pavljuçenkova fitoi kundër Samanta Stosur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



