Lojëra me Dore

Australian Open/ Rafael Nadal tregon forcën, kalon në çerekfinale

Rafael Nadal fiton bindshëm ndaj italianit Fabio Fonjini dhe kualifikohet për herë të 13-të në çerekfinale të “Australian Open”. Spanjolli ka triumfuar 3-0, 6-3, 6-4 dhe 6-2 me sete. Italiani e nisi mirë ndeshjen, por u shua shpejt, sidomos në setin e dytë, kur ishte përpara 4-2. Nadal do të luajë kundër Stefanos Tsitsipas në çerekfinale. Tenisti grek është kualifikuar pa luajtur, pas tërheqjes së Mateo Berretinit para nisjes së ndeshjes për shkak dëmtimi.

Fabio Fonjini është përulur para numrit 2 në botë, Rafael Nadal. Vetë rezultati flet qartë për supermacinë e spanjollit. Pengu i vetëm i italianit mund të jetë seti i dytë, që ai mund ta fitonte. Gjithsesi, Nadal ka bërë një paraqitje shumë të mirë, duke e çuar ndeshjen në binarët që ai donte. Është fitorja e 13-të për Nadalin në ndeshjet direkt me Fonjinin.

Rafael Nadal ka impresionuar që në fillim, kur gjuajtjet e tij nga fundi ishin të pakapshme. Spanjolli bëri gjithçka në perfeksion dhe fraksioni i parë u mbyll 6-3. Në të dytin italiani reagoi mirë, por nuk mundi të shfrytëzonte avantazhin, duke bërë disa gabime të pafalshme. Nadal, si një kampion i vërtetë, shfrytëzoi shanset e tij dhe e mbylli setin 6-4. Seti i tretë nuk kishte histori, me spanjollin që fitoi 6-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë