Ka përfunduar në fazën e 1/8-ve aventura e Dominik Thiem në “Australian Open”. Numri 3 në renditjen botërore dhe fituesi i “Us Open”, finalist në Melburn në 2020-ën, ka “paguar” ndeshjen maratonë kundër Kirgios dhe ka humbur 6-4, 6-4 dhe 6-0 kundër Grigor Dimitrov. Tenisti bullgar do të sfidojë në çerekfinale surprizën e turneut, Aslan Karatsev, i cili mundi pas 5 setesh Auger-Aliasime. Te femrat janë kualifikuar Naomi Osaka dhe Serena Uilliams.
Thiem ka dalë me kokën ulur nga turneu. Ai nuk u fut në ndeshje në asnjë moment, ndërsa Grigor Dimitrov shfaqi një formë shumë të mirë fizike. Bullgari kishte energji të akumuluara nga ditët e fundit, duke qenë se ndaj Karrenjo Busta luajti vetëm 39 minuta, sepse spanjolli u tërhoq. Në “Rod Laver Arena”, numri 21 në botë, fitoi dy setet e para me rezultatin 6-4. Në të tretin ai nuk i la asnjë gejm finalistit të 2020-ës.

Për Dimitrov do të jetë pjesëmarrja e 4-t në çerekfinalet e turneut australian. Mes tij dhe gjysmëfinales tani është “mina me sahat” Aslan Karatsev, numri 114 Atp, që mundi edhe Feliks Auger-Aliasime, numrin 19, pas një ndeshjeje që zgjati 3 orë e 28 minuta.
Në momentin e parë të vështirë të turneut, Naomi Osaka nuk gaboi dhe fitoi një ndeshje të luftuar ndaj Garbinje Muguruza. Numri 3 në renditjen botërore të femrave u befasua në setin e parë, teksa u mund 6-4, por me të njëjtin rezultat fitoi të dytin. Në setin e tretë spanjollja kishte dy “match point”-e, por Osaka u përgjigj si kampione dhe e mbylli ndeshjen për 1 orë e 57 minuta. Në çerekfinale, fituesja e “Australian Open 2019” do të përballet me Hsieh Su-Uei, që kaloi Marketa Vondrousovën.

Është kualifikuar edhe “e pavdekshmja” Serena Uilliams, numri 11 në botë, duke mundur numrin 7, Arina Sabalenka, 6-4, 2-6 dhe 6-4. Ndeshja zgjati 2 orë e 11 minuta, ku bjelloruses nuk i mjaftoi një set i dytë perfekt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje