Gazeta Si – Pas Alkaraz dhe Venus Uilliams, një javë para fillimit të tij turneu australian humbet edhe tenisten japoneze, e cila nuk i ka bërë të ditura publikisht arsyet e mungesës. Në pikëpyetje edhe pjesëmarrja e britanikes.
Në fillim Karlos Alkaraz dhe Venus Uilliams, tani edhe Naomi Osaka. Australian Open po humbet një nga një yjet e tenisit botëror. Osaka, numri 42 në renditjen botërore, ka vendosur të mos marrë pjesë në eventin e parë të sezonit. Vendin e saj në tabelë do ta zërë ukrainasja Dajana Jastremska, numri 101 i klasifikimit Wta.
Nuk janë bërë të ditura arsyet që çuan kampionen e edicioneve 2019 dhe 2021 te ky vendim. Osaka nuk luan një ndeshje zyrtare që nga shtatori i vitit të kaluar, që kur u tërhoq në 1/8-at e Japan Open, për shkak të një dëmtimi muskulor. Për momentin nuk dihet kur do kthehet në aktivitet. Para se të tërhiqej nga turneu i shtëpisë, Osaka u mund në debutim edhe në tre evente të tjerë, përfshirë edhe Us Open.
Ka dyshime te organizatorët e Australian Open edhe për praninë e tenistes britanike, Ema Radukanu. Ajo është dëmtuar gjatë një ndeshjeje ndaj sllovakes Viktoria Kuzmova dhe la fushën për një problem në kavilje. Ende nuk është e qartë, nëse mund të rikuperohet në kohë, apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.