Lojëra me Dore

“Australian Open”/ Dorëzohen autoritetet, lejohen edhe tenistët e pavaksinuar

Hapen dyert e “Australian Open” për Novak Gjokoviç me shokë. Numri 1 në botë mund të mbrojë titullin, pasi, sipas “New York Times”, në këtë turne do të pranohen edhe tenistët e pavaksinuar. Kush është pa “green pass”, duhet të bëjë një karantinë prej dy javësh në hotel, për të tjerët ka liri të plotë lëvizjeje.

Prestigjiozja amerikane i referohet një e-mail-i të WTA-së (Federata ndërkombëtare e tenisit të femrave) për këtë çështje, ndërsa një funksionar i qeverisë insiston në faktin se nuk ka ende një zgjidhje zyrtare të problemit. Rregullat do të aplikohen me shumë mundësi edhe në turneun e meshkujve, duke i dhënë mundësinë e pjesëmarrjes edhe Novak Gjokoviçit, i cili kurrë nuk ka dashur të bëjë të ditur, nëse është i vaksinuar apo jo.

Në të kaluarën shpesh serbi është shprehur kundër vaksinimit të detyrueshëm. Në janar ai mund të mbrojë titullin në “Melbourne Park”. E-maili i dërguar nga WTA-ja për lojtaret e tenisit ka shkuar në duart e telekronistit të tenisit të “New York Times”, Ben Rothenberg, i cili e ka postuar në Tuiter.

Ky e-mail kundërshton deklaratat e fundit të autoriteteve, sipas të cilave, lojtaret e pavaksinuara nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë. Në këtë e-mail sqarohet se tenistet komplet të vaksinuara do të kenë liri të plotë, kurse të pavaksinuarat mund të marrin pjesë në turne, por pasi të kenë bërë një karantinë dyjavore në një hotel dhe t’u nënshtrohen testeve të rregullta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë