Futboll

Australia vendëse nuk e përballon dot Anglinë, në finale ndaj Spanjës shkojnë ‘Luaneshat’

Gazeta Si – Lauren Hemp dhe Alesia Ruso janë ngjitur në kuotën 3 të golave në renditjen e shënueseve më të mira të Botërorit, por mbi të gjitha kanë kualifikuar Anglinë për në finalen e Kupës së Botës, ku do të ndeshet me Spanjën.

Një gjysmëfinale në transfertë për anglezet. Ndeshja u luajt në ‘Accor Stadium’ të Sidneit, që natyrisht ishte në favor të australianeve, të zonjave të shtëpisë. Por ky fakt nuk i frenoi favoritet për fitimin e Kupës së Botës në futbollin e femrave për t’u kualifikuar.

Anglezet festojne nje nga golat ndaj Australise. Gazeta Si, 16 gusht 2023

An Tone, sulmuesja e Mançester Junajtid, u dha britanikeve mundësinë ta mbyllnin në avantazh pjesën e parë. Australia reagoi mirë në pjesën e dytë dhe Samanta Kerr, australiane me origjinë angleze, barazoi shifrat.

Në momentin kyç pastaj shënuan të njëjtat lojtare për ‘Luaneshat’, ato që kishin shënuar në çerekfinale ndaj Kolumbisë. Lauren Hemp dhe Alesia Ruso eliminuan edhe australianet dhe tani fjala e fundit i takon finales me Spanjën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë