Teknologji dhe Inovacion

Australia miraton ligjin, fëmijët nën 16 vjeç ndalohen të përdorin rrjetet sociale

Australia do t’i ndalojë fëmijët nën 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale, pasi Senati i saj miratoi ligjet më të rreptë të këtij lloji në botë.

Ndalimi, i cili nuk do të hyjë në fuqi për të paktën 12 muaj, mund të bëjë që kompanitë e teknologjisë të gjobiten deri në 50 milion dollarë Australianë (32.5 milion dollarë amerikan) nëse nuk e respektojnë.

Kryeministri Anthony Albanese thotë se legjislacioni është i nevojshëm për të mbrojtur të rinjtë nga “dëmtimet” e mediave sociale.

Por kritikët thonë se pyetjet se si do të funksionojë ndalimi dhe ndikimi i tij në privatësi kanë mbetur pa përgjigje.

Kjo nuk është përpjekja e parë globalisht për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, por përfshin kufirin më të lartë të moshës të vendosur nga çdo vend dhe nuk përfshin përjashtime për përdoruesit ekzistues ose ata me pëlqimin e prindërve.

“Ky është një problem global dhe ne duam që të rinjtë australianë të kenë një fëmijëri”, tha Albanese kur prezantoi projektligjin në dhomën e ulët javën e kaluar.

“Ne duam që prindërit të kenë paqe mendore”.

Pasi kaloi Senatin me 34 vota pro dhe 19 kundër të enjten, projektligji do të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku qeveria ka një shumicë që do të thotë se është e sigurt që do të kalojë, që ajo të miratojë amendamentet, përpara se të bëhet ligj.

Legjislacioni nuk specifikon se cilat platforma do të ndalohen. Këto vendime do të merren më vonë nga ministri i Komunikimeve i Australisë, i cili do të kërkojë këshilla nga Komisioneri i Sigurisë e-Safety, një rregullator i internetit që do të zbatojë rregullat.

Qeveria thotë se a do të mbështetet në një formë të teknologjisë së verifikimit të moshës për të zbatuar kufizimet dhe opsionet do të testohen në muajt e ardhshëm. Barra do të jetë mbi platformat e mediave sociale për t'i shtuar vetë këto procese.

Sidoqoftë, ekspertët digjitalë kanë paralajmëruar se nuk ka garanci se teknologjia e paspecifikuar, e cila mund të mbështetet në informacionin biometrik ose identitetin, do të funksionojë. Kritikët kanë kërkuar gjithashtu garanci se privatësia do të mbrohet.

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se kufizimet mund të anashkalohen lehtësisht përmes mjeteve si një VPN, të cilat mund të ‘maskojnë’ vendndodhjen e një përdoruesi dhe t'i bëjnë ata të duken se po hyjnë nga një vend tjetër.

Fëmijët që gjejnë mënyra për të shkelur rregullat nuk do të përballen me ndëshkime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë