Politike

Rama: Drejtësia do të ketë punë me ne nëse nuk na respekton

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë komunikimit të tij me qytetarët përmes rubrikës “Sy më sy” në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe materialet e publikuara dje në media, ku Veliaj pretendon se prokurori i SPAK Olsi Dado i ishte drejtuar me fjalën “ndyrësirë” brenda sallës së gjyqit. (Por GJKKO e përgënjeshtroi).

Rama theksoi se SPAK u krijua nga vullneti i PS por tha se vetëm pavarësia nuk mjafton. Ai shtoi se duhet profesionalizëm nga SPAK dhe që pavarësia e këtij të fundit të vihet në funksion të një drejtësie të drejtë.

“PS e ka krijuar SPAK, që ka vullnetin e popullit shqiptar. Ne duam që SPAK të jetë aty, që të fuqizojë veten dhe jemi këtu për të ushtruar këtë vullnet.

Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Ama, pavarësia nuk mjafton. Duhet edhe profesionalizmi e integriteti. SPAK duhet të luftojë me veten dhe të ketë parasysh që pavarësia duhet vënë në funksion të një drejtësie të drejtë, që nuk sheh majtas ose djathtas”, tha ai.

Rama gjithashtu shtoi se respekti për tjetrin është një pikë problematike e SPAK. Ai theksoi se SPAK u krijua nga vullneti i PS, por duhet respektuar kushdo që merret në pyetje.

“Kjo për këdoqoftë që bëhet pjesë e një procesi hetimi, qoftë edhe pyetet si një person që mund të dijë gjithçka. Sepse cilido qoftë është i barabartë dhe kushdoqoftë që merr dikë në pyetje duhet ta ketë mirë parasysh se duhet ta respektojë dhe do ketë një problem shumë të madh me ne te mungesa e respektit dhe te mungesa e vlerësimit bazik të së drejtës dhe lirisë kushtetuese të secilit. Të jetë i barabartë përballë kujtdo që përfaqëson shtetin qoftë polic, mjek, arsimtar, deputet, prokuror apo gjykatës”, shtoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë