Ne rrjet

Aty ku Dita e Shën Valentinit është e padëshiruar dhe e ndaluar

Festimi i ditës së dashurisë, e frymëzuar nga një shenjtor i krishterë, në shumë vende shihet si diçka e huaj dhe imorale.

Zemrat, lulet dhe puthjet janë pjesë e Ditës së Shën Valentinit, e cila është festuar me momente romantike dhe dashurie për shekuj në shumë vende perëndimore kryesisht. Në një sondazh të Ipsos, me njerëz në 28 vende anembanë botës, 55 për qind e të anketuarve thanë se planifikonin çdo vit për ta festuar me partnerin ose partneren e tyre.

KHOBAR, ARABIA SAUDIA
Ndërsa dyqanet e luleve në Arabinë Saudite festojnë hapur ditën e Shën Valentinit sot, në vitet e mëparshme tregtarët fshihnin lulet e tyre të kuqe gjatë javës së festës për të shmangur ndëshkimin nga Komiteti për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, një departament kombëtar i ngarkuar dikur me zbatimin e rreptë të normave fetare.

Por për njerëzit në disa pjesë të globit, festimi i 14 shkurtit, që shënon festën e Shën Valentinit, një martir i krishterë është tabu apo edhe i paligjshëm. Madje ka shumë shqetësime se përhapja e kulturës tregtare perëndimore kanë shfuqizuar ligjet që ndalojnë festimin e kësaj dite.

Nga ndalimet te arrestimet masive dhe madje edhe kërcënimet për martesë të detyruar, këtu janë vendet ku është e ndaluar, ose krejtësisht e rrezikshme, për të ‘përqafuar’ ditën e të dashuruarve.

Arabia Saudite

Për dekada me radhë, 14 shkurti ishte vetëm një ditë tjetër në Arabinë Saudite, e cila e ndaloi ditën e Shën Valentinit si diçka që binte ndesh me ligjet dhe rregullat islame.

Megjithëse disa njerëz shkëmbenin fshehtas dhurata dhe lule në shkurt, ata rrezikonin të përplaseshin me policinë e vendit deri rreth pesë vjet më parë.

Ndryshimi erdhi pasi princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, hoqi Komitetin e vendit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, një departament i ngarkuar dikur me zbatimin e normave të rrepta fetare. Para kësaj, njerëzit që guxonin të festonin festën shpesh arrestoheshin dhe pronarët e dyqaneve u penguan të shisnin mallra për ditën e Shën Valentinit.

Që pas shkrirjes së Komitetit, raporton Al Arabiya English, sauditët e kanë festuar hapur festën dhe çmimet e luleve dhe dhuratave, të fryra prej kohësh për shkak të fshehtësisë që rrethonte festën, kanë rënë.

KARAÇI DHE LAHORE, PAKISTAN
Ditën e Shën Valentinit në Pakistan dikur kishte shitës trëndafilash dhe tullumbacesh në formë zemre që shpejtonin nëpër rrugë derisa Gjykata e Lartë e vendit ndaloi promovimin dhe festimin e festës në vitin 2017.

Pakistan

Kjo ditë është një mollë sherri në Pakistan. Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm i vendit, Mamnoon Hussain, u kërkoi pakistanezëve që të shmangin ditën e Shën Valentinit, duke thënë në një takim me studentë, kryesisht femra se festa “nuk ka lidhje me kulturën tonë”. Vërejtjet, të cilat u interpretuan gjerësisht si një shenjë mbështetjeje nga ekstremistët islamikë të vendit, nxitën një ndalim të vitit 2017 nga gjykata e lartë e vendit dhe një dekret për të hequr të gjitha gjurmët e Ditës së Shën Valentinit nga hapësirat publike dhe për të ndaluar mallrat, reklamat ose promovimin e festës në media.

Kjo nuk e ka zbehur entuziazmin për disa pakistanezë. Pavarësisht ndërhyrjes dhe mbikëqyrjes së policisë, rebelët romantikë gjejnë mënyra për të blerë lule dhe për t’u dhënë të dashurve të tyre dhurata sentimentale për festën, megjithëse shumica e bëjnë këtë në fshehtësi.

“Pavarësisht ndalimeve, njerëzit dalin dhe bëjnë diçka ndryshe”, tha për New York Times një banor që kishte planifikuar t’i bënte gruas së tij një mëngjes romantik më 14 shkurt.

SHAH ALAM, MALAJZI
Një çift malajzez pozon për foto në një instalim me dritë në prag të Shën Valentinit. Në vitin 2005, këshilli më i lartë i ligjit islamik i vendit e shpalli festën në kundërshtim me Islamin.

Malajzi

Autoritetet malajzeze gjithashtu kanë bërë të pamundurën për ta hequr këtë festë nga vendi. Në vitin 2005, Këshilli vendit, i cili interpreton ligjin islamik dhe nxjerr dekrete, e shpalli Ditën e Shën Valentinit në kundërshtim me Islamin, sepse kishte “elemente të krishterimit”. Megjithëse grupet e krishtera i kërkuan këshillit të rishqyrtojë, duke pretenduar se ka pak lidhje midis Ditës së Shën Valentinit dhe krishterimit, ndalimi vazhdoi.

Autoritetet fetare, menjëherë pas dekretit, filluan arrestimet masive të çifteve që dyshoheshin si persona që festonin ditën e 14 shkurtit.

Në një incident në vitin 2011, autoritetet në Selangor dhe Kuala Lumpur shënjestruan çifte në hotele dhe parqe publike, duke i quajtur festimet si të paligjshme.

Iran

Autoritetet fetare në Iran i janë drejtuar publikut për ndihmë për të ndjekur penalisht ata që festojnë festën në kundërshtim me ligjet e rrepta fetare. Qeveria ka ndaluar prej kohësh simbolet e ditës, duke thënë se ato janë “anti-kulturore” dhe e “dënoi” ditën e Shën Valentinit si një shenjë imoraliteti.

Por Dita e Shën Valentinit është bërë aq e popullarizuar sa që disa ekstremistë islamikë tani inkurajojnë të respektojnë një festë të lashtë iraniane, Sepandarmazgan. Festa, e cila bie më 23 shkurt, njihet si një ditë dashurie persiane për të nderuar Spandarmad, një hyjni që përfaqësonte një grua të dashur.

Kjo nuk i ka penguar shumë iranianë të festojnë në fshehtësi festën perëndimore, pavarësisht nga ndalimi i prodhimit dhe shitjes së produktebe të Shën Valentinit.

KOLKATA, INDI
Një artist përgatit një zbukurim për Ditën e Shën Valentinit në Kolkata, Indi. Nacionalistët hindu në vend shpesh kanë protestuar kundër festës si një pushtim i ndikimit imoral perëndimor.

Indi

Në Indi, nacionalistët ekstremë hindu kanë protestuar kundër festës dhe kanë kërcënuar ata që festojnë, madje duke sulmuar çiftet e reja dhe duke i prerë flokët ose duke i goditur në fytyra.

Gjithashtu ka dhe një fushatë të dukshme kundër Shën Valentinit të fokusuar në platformat e mediave sociale, ku 518 milionë indianë vlerësohet të jenë aktivë që nga viti 2020. Në vitin 2015, një parti politike e ekstremit të djathtë hindu kërcënoi se kushdo që festonte Shën Valentinin apo shfaqte dashurinë në rrjetet sociale, do ti detyronte të martoheshin me persona të tjerë.

Burimi: National Geographic. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë