Ne rrjet

Athina sërish në protestë, kërkon respektimin e Marrëveshjes së Prespës. Presidenca e RMV: Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues

Nga Gazeta ‘Si’- Athina zyrtare ka protestuar përsëri ndaj presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkovës.

Ministri i Jashtëm grek Georgios Gerapetritis ka deklaruar se Greqia  “kërkon respektimin e Marrëveshjes së Prespës dhe se do të  krijojë një kontekst që të ketë një zbatim të plotë të saj, pasi nuk është çështje vetëpërcaktimi i secilit person zyrtar por çështje zbatimi të plotë të asaj që është rënë dakord dhe është ratifikuar nga të dyja palët”.

Në të njëjtin mendim ka qenë edhe zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis.

Megjithatë, pas reagimeve të forta dhe ndërhyrjes së kryesisë në largim të Ministrisë së Jashtme në Shkup, nga zyra e Davkovës është deklaruar se: Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues.

Në njoftim thuhet se në pajtim me Kushtetutën, presidentja e ka nënshkruar betimin solemn duke përdorur emrin kushtetues gjegjësisht siç është përgatitur teksti nga shërbimet parlamentare.

Megjithatë, me siguri Siljanovska Davkova do të bëjë përjashtim në përdorimin e emrit kushtetues në daljet publike.

“Në paraqitjet e saj publike, presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vet-identifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues”, thonë nga Kabineti i presidentes.

Ndërkohë në Greqi konservatorët në fuqi fajësojnë Marrëveshjen duke e quajtur jo të saktë dhe qeverinë Tsipras që e nënshkroi. Kurse partia opozitare Syriza akuzon qeverinë që gjithë këto vite nuk ka bërë asgjë për të ndjekur zbatimin me rigorozitet të saj dhe nuk ka ratifikuar ende 3 memorandume në parlament të cilat e konsolidojnë nga ana ligjore.

Orët e fundit ish-kryeministrat Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev, dy arkitektët e Marrëveshjes së Prespës, në një bisedë telefonike të thirrur nga politikani grek, kanë nënvizuar rëndësinë e respektimit me besnikëri të saj dhe bashkëpunimit të dy vendeve si për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në një periudhë tensionesh të mëdha në rajon.

Pas reagimeve nga SHBA dhe BE kundër veprimeve të Davkovës edhe presidenti i Bullgarisë si dhe kryeministri i saj kanë theksuar se Sofja nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017, si dhe me traktatet e tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar Republika e Maqedonisë së Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë