Ka ndodhur

Del video, dinamika e atentatit në Vlorë/ E ndalën me breshëri kallashi, pastaj u ‘siguruan’ me 6 plumba në kokë e trup

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 41-vjeçarit, Leartid Lekaj (alias Leart Keka) në qytetin e Vlorës, mbrëmjen e së shtunës.

Mësohet se viktima ka qenë një person me precedentë penalë, pasi ishte dënuar më herët me 10 vite burg për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim. Tetë persona janë shoqëruar në polici, pas vrasjes së Kekës dhe janë marrë në pyetje për ngjarjen.

Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi pranë kishës Ortodokse në Vlorë dhe në vendngjarje janë gjetur 28 gëzhoja, çka do të thotë se në drejtim të viktimës është zbrazur një karikator kallashnikovi. 41-vjeçarin e kanë prekur 6 plumba në trup dhe në kokë. Autorëve u janë dashur më pak se 12 minuta që me makinën e tyre tip ‘Audi' me targa italiane të largohen nga qyteti i Vlorës për ta djegur mjetin në aksin Kotë - Sevaster.

Viktima Leartid Lekaj

Rrethanat e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por Keka ka qenë duke lëvizur me një motor kur është qëlluar nga mjet me targa italiane pranë bibliotekës në Vlorë. Fillimisht 41-vjeçari pasi është plagosur është rrëzuar nga motori dhe është ngritur në këmbë për t’u larguar. Ai ka ecur rreth 100-150 metra deri tek Kisha Ortodokse, por është ndjekur nga autori, i cili e ka qëlluar sërish me pistoletë me silenciator për t’u siguruar që 41-vjeçari të vdiste. Më pas autorët janë larguar dhe mjetin e kanë djegur në fshatin Kotë.

Në videot e siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë, duken autorët që pasi e godasin njëherë vitkimën, rikthehen sërisht për t'u siguruar për vdekjen, duke e qëlluar me 4 plumba të tjerë në kokë.

Ndërkohë, familjarët hedhin akuza në drejtim të autoriteteve, pasi thonë se viktimës nuk i është kryer në kohë ekspertiza mjeko-ligjore.

“Po presim mjekun ligjor, kemi që në 10:30 që presim, na thonë do vijë nga çasti në çast, duam që të vijë mjeku ligjor ose brenda 12 orëve do e marrim trupin do e çojmë në shtëpi. Na thonë do vijë nga Fieri”, tha një prej të afërmve.

Deri më tani janë të paqarta shkaqet që çuan deri në ekzekutimin e tij dhe nuk ka asnjë autor të dyshuar që është ndaluar nga Policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë