Ngjarje

Atentati ndaj prokurorit Ndoj, familja e shoferit të vrarë kërkon dëmshpërblim

Familjarët e Andi Malokut, i cili mbeti i vrarë në atentatin e 1 nëntorit 2019, në makinën e prokurorit Arjan Ndoj, kanë kërkuar në GJKKO dëmshpërblim pasuror ndaj dy të pandehurve, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.

Ndërkohë seanca e të mërkurës në Gjykatën e Posaçme dështoi sërish, për mungesë të avokatëve dhe të pandehurve. I thirrur në këtë seanca ishte dhe prokurori Arjan Ndoj, por edhe ai nuk u paraqit.

Procesi për atentatin e bujshëm ndaj Prokurorit dhe dy personave të tjerë pritet të gjykohet në themel, por dy seancat e para kanë dështuar.

Prokurori Arjan Ndoj

Rraja dhe Halilaj, akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal.

Arjon Halilaj u arrestua në maj 2020 dhe akuzohet si bashkëpunëtor në krim, ndërsa Rraja u prangos teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Sipas grupit hetimor, ai është zbuluar nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” me ngjyrë gri të përdorur nga autorët.

Atentati u bujshëm ndodhi 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, ku prokurori Ndoji lëvizte në makinë me Pëllumb Muharremin, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, një personazh i njohur në zonë, si dhe shoferin e tij, Andi Maloku. Për fat të keq, ky i fundit ndërroi jetë në spital pas plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Dyshohet se shënjestër e atentatit mund të ketë qenë prokurori Arjan Ndoj, i cili u akuzua edhe nga mazhoranca aktuale si i lidhur me bandat kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë