Katër ditë pas atentatit ndaj Vinçesk Pirolit, i cili mbeti i plagosur në Shkodër, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 23-vjeçar, si autor të dyshuar të ngjarjes.
Ai është Arjon Beqiri, banues në lagjen “Partizani”, i cili akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia thotë se 23-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm. Ndërkohë, të enjten, në rrugën “Hodo Beg Sokoli” në Shkodër, u gjet i braktisur mjeti BMË X5 që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Ky automjet është marrë me qira nga 23-vjeçari Arjon Beqiri në datën 3 janar 2022, pikërisht në ditën kur u qëllua me armë zjarri Vinçesk Piroli.
Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 05.01.2022 janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe vetë i plagosuri Vinçesk Piroli 34 vjeç dhe kushëriri i tij Marjan Marku 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
34-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar, ku i është komunikuar edhe masa e ndalimit.
Përpos hetimit për ngjarjen ku mbeti i plagosur, për Pirolin ka një urdhër arresti nga Mali i Zi për vrasje, por Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me fqinjin verior.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.