Drejtësia

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj/ SPAK kërkon mbi 28 vjet burg për 5 të akuzuarit, gjykim i shkurtuar për Ramazan Rrajën

Gazeta - SPAK ka kërkuar 28 vjet e 8 muaj burg për 5 të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos "Rrumi i Shijakut", ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.

Nga atentati në autostradën Tiranë-Durrës, mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Ndoj, teksa të tre udhëtonin në të njëjtën makinë tip “Benz Mercedes”.

Në seancën e lësaj të marte, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Ramazan Rrajës për gjykim të shkurtuar, si dhe për të pandehurit e tjerë.

Për Rrajën, SPAK kërkoi 11 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar ulet në 7 vjet e 4 muaj.

Për Genti Nderjakun kërkoi 9 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar ulet në 6 vite.

Për Bashkim Haxhinë kërkoi 8 vite burgim që ulet në 5 vjet e 4 muaj burg.

Për Endrit Sinanin SPAK kërkoi 7 vjet e 6 muaj burgim që ulet në 5 vite.

Për Julian Pjetrin u kërkua 7 vjet e 6 muaj burgim që me gjykim të shkurtuar ulet në 5 vite burgim.

Pas dhënies së pretencës, avokatët kërkuan kohë që të përgatisin mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua më datë 2 tetor ora 09:00.

Arjan Ndoj ka qenë prokuror i Durrësit kur iu bë atentat, por më pas u skualifikua për shkak të problemeve që iu zbuluan gjatë Vettingut.

Për këtë çështje pritet gjykohen edhe Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, me këtë të fundit të identifikuar si një nga autorët e dyshuar, të ekstraduar muajin e kaluar nga Dubai në Shqipëri.

SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.

Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.

Në grupin e personave të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Si Plaurent Dervishaj, ashtu edhe Julian Meçe, i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës në 20 qershor 2019 teksa udhëtonin me makinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë