Drejtësia

Atentati ndaj Hamza Terziut në Bulqizë, arrestohet në Angli Edison Muceku

Nga Gazeta ‘Si’- Një i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare, i cili akuzohet për pjesëmarrje në një vrasje të mbetur në tentativë në qytetin e Bulqizës, është arrestuar në Britaninë e Madhe.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Another” është vënë në pranga 34-vjeçari, Edison Muceku.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Muceku dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Hektor Xheçukës, 36-vjeçarit të njohur me emrin Tor Xheçuka nga qyteti i Burrelit, grup kriminal që u përfshi në eliminimin e Hamza Terziut.

Shqipëria e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar Edison Mucekun, pasi ai akuzohet nga drejtësia si bashkautor në tentativën e vrasjes që ndodhi në Bulqizë më 21 maj të vitit 2020.

Për këtë ngjarje të zbardhur pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC, Gjykata e Posaçme lëshoi disa urdhër-arreste për shtetasit: Hektor Xhecuka, Albert Zaja, Edison Muceku, Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa.

Sakaq, policia sqaron se Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e Mucekut drejt Shqipërisë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë