Gazeta Si – I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej, i cili akuzohet për disa ngjarje kriminale, ka dëshmuar këtë të premte në GJKKO në seancën gjyqësore që zhvillohet ndaj ish-krerëve të bandës së Durrësit, Plarent Dervishaj e Julian Meçe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019.
Alibej rrëfeu se i kishin ardhur fjalë se atentatin ndaj Dervishajt e kishte urdhëruar Lul Berisha. Ndërsa tregoi sesi informacionet i merrte nga një punonjës policie në Elbasan, të cilin e shpërblente me para.
Në dëshminë e tij, Alibej ka zbuluar sesi Dervishaj i kishte rrëfyer se për të prishur provat që njerëzit e tij kishin lënë në atentatin e dështuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, i kishin kërkuar 300 mijë euro ryshfet.
Pas dështimit, Alibej tha se Dervishaj kishte planifikuar tjetër atentat ndaj Ndojës në Gjirin e Lalzit me anë të një snajperi.
“Diskutuam se kush di të ekzekutojë me snajper. Në bisedë e sipër diskutuam që prokurori (Ndoja) shkon në një lokal te Gjiri i Lalzit dhe më ka folur për plane që ta ekzekutonin me snajper aty”, tha Alibej.
Alibej thotë se e dinte që pas atentatit në fjalë fshihej Dervishaj. Këtu përmendet edhe emri i Redjan Rrajës, i dënuar për ngjarjen, i cili u zbulua falë profileve gjenetike nga një palë syze.
Për to Dervishaj është interesuar që të fshihen tek ekspertiza, por i kanë kërkuar 300 mijë euro. “Redian Rrajën e kam dëgjuar për herë të parë në televizor. Për Redjan Rrajën kemi biseduar me Plarentin pak pasi i kishin bërë atentat prokurorit, ku ndodhej nuk e di. E dija që pas atentatit të Ndojës, ishte Plarenti. Kishim biseduar për ato emra, ai nuk e kuptonte pse i kishin bërë atentat. Pasi u zbardh ngjarja, e pyeta pse ndodhi kështu. Po flitet për prova i thashë, syzet, shenjat e gishtave. Më tha jam interesuar për të fshirë gishtat tek ekspertiza. Më tha i kishin kërkuar 300 mijë euro”, tha Alibej.
I penduari i drejtësisë ka rrëfyer edhe se si ishte njohur me Plarent Dervishajn dhe komunikimin që kanë bërë më pas nëpërmjet aplikacioneve të enkriptuara.
“Kemi folur shumë gjatë në aplikacion, por fizikisht një herë. E thirrnin Lenti, Shoku. Kam folur në EnchroChat fillimisht, më pas me SKY [ECC]. Nofka e tij, ‘Barcelona’ tek EnchroChat, ‘Ghost’. Me Plaurentin nuk më lidh asnjë gjë. Mbaj mend që pak më vonë Plaurentit iu bë atentat, biseduam për këtë. Unë shqetësohesha për të, si për hallet e mia dhe ia përcillja çdo informacion”, tregoi Alibej.
Në atrentatin e vitit 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, u vra Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndo dhe mbetën të plagosur vetë Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho, ose “Rrumi i Shijakut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.