Kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të garazhit ku ndodhi shpërthimi me tritol të dielën ndaj Endrit Sadedinit, kanë pikasur atentatorin e dyshuar.
Sipas pamejve filmike të sekuestruara nga policia, autori ka vendosur pakon me lëndë plasëse 15 minuta para shpërthimit.
Ai kaluar pranë i maskuar me një kapuç në kokë, ka vendosur pakon në tokë dhe e ka mbuluar me një copë kartoni që të mos dukej.
Pas këtij momenti, autori i dyshuar ka pritur objektivin dhe në një distancë jo shumë të largët, ka shtypur butonin, pasi bomba ka qenë e lidhur me një telefon.
Pas shpërthimit dhe tronditjes së madhe që ka shkaktuar zhurma, ai është larguar i qetë në këmbë. Sasia e lëndës shpërthyese ka qenë e konsiderueshme, aq sa ka dëmtuar edhe pjesën e bordurës së betonit. Ndër të tjera duket edhe kutia e kartonit me të cilën autorët kishin mbuluar pakon me lëndën plasëse para atentatit.
Deri tani janë shoqëruar 6 persona të cilët po merren në pyetje, ndërkohë që lënda plasëse e llojit tritol që shpërtheu në garazhin e pallatit ku jetonte Sadedini, dyshohet të këtë qenë rreth 400 gr.
Shpërthimi i fortë ndodhi rreth orës 15:00, në lagjen ’10 korriku’, një ditë më parë në Vlorë, ku 33-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe dyshohet se ka dëmtuar gjymtyrët e poshtme.
Ai u soll me urgjencë për mjekim më të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe për momentin gjendja e tij është e mirë.
Kjo nuk është hera e parë që ndaj Sadedinit bëhet një atentat, pasi edhe katër vite më parë i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.
I riu nuk ka qenë i dënuar, por ka disa precedentë të mëparshëm për shkak të përfshirjes në disa konflikte me persona të tjerë. Një nga pistat e forta të policisë, është përfshirja e të riut në tregtinë e hashashit në Vlorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.