Gazeta Si – Në atentatin me 4 të plagosur të ndodhur mbrëmjen e të enjtes në Tiranë, ku kanë qenë nipi dhe djali i pronarit të “Pelikan Security”, ka dyshime të forta se autorët kanë ngatërruar shënjestër.
Sipas burimeve paraprake, policia dyshon se shënjestër e sulmit të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht.
Bëhet e ditur se gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës përdor makinë të ngjashme me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmë, vetëm pak orë pas ngjarjes në Lezhë.

Si pasojë e atentatit në Tiranë, mbetën të plagosur katër persona, tre prej të cilëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i mituri 11-vjeçar paraqitet në gjendje më të rëndë.
Ndërkohë pak orë para kësaj ngjarje, në një atentat në Lezhë, mbeti i vrarë Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i ekzekutuar 1 vit më parë në Athinë në sytë e fëmijës së tij.
Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022.

Dinamika e atentatit me 4 të plagosur
Sipas burimeve, mësohet se 11-vjeçari, nipi i pronarit të “Pelikan Security”, ka qenë duke festuar ditëlindjen me kushëririn e tij dhe shokun Kian Mullahi, 19 vjeç. Ky i fundit, studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë, një ditë para ngjarjes për Pashkët.
Autorët e atentatit që kanë kryer sulmin, dyshohet se ishin me motoçikletë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Deri tani, policia nuk ka arritur të gjejë asnjë gjurmë apo informacion për identifikimin e tyre. Të plagosurit, të cilët janë marrë në pyetje, kanë pohuar se nuk kanë pasur konflikte me askënd dhe nuk kanë mundur të identifikojnë autorët e sulmit.
Nipi dhe djali i pronarit të “Pelikani Security” bashkë me shokun e tyre, të shoqëruar nga shoferi i kompanisë, ishin duke festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe mësohet se kanë qenë në Pjezë të Shijakut te “Arena Karting Albania”, pistë për gara me makina.
Ata kanë qenë të shoqëruar nga shoferi, Arens Stafa 34-vjeç dhe kur kanë qenë duke u kthyer për në banesat e tyre në Lundër, në një prej rezidencave luksoze në kryeqytet, kur autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre.
Gjatë kthimit, janë futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës rreth orës 21:30 për vijuar ecjen në autostradë.

Autorët me motor
Në këto momente autorët që dyshohet se kanë qenë dy, i kanë zënë në pritë me një motor dhe i janë afruar mjetit luksoz “G Class” dhe kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri në drejtim të tyre deri te “Agropark” (Tregu Agro Ushqimor), ku ka qenë pika kulminante e të shtënave me armë.
Më pas autorët larguar në drejtim të paditur. Shoferi 34-vjeçar në përpjekje për t’iu larguar autorëve ka vijuar të drejtojë mjetin deri në afërsi të Lundrës, aty ku dyshohet se është përplasur pasi nuk kanë funksionuar frenat dhe më pas ka humbur edhe ndjenjat.
Kanë qenë persona të rastësishëm që i kanë gjetur të plagosur dhe më pas i kanë dërguar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve, 11-vjeçari ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi plumbat e kanë prekur në kraharor.
Ndërsa djali i pronarit të “Pelikani Security” ndodhet në një spital privat në Tiranë, 19-vjeçari është në gjendje stabël, bashkë me shoferin 34-vjeçar.
Një grup hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga autorët.
Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë. Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur, të cilët mësohen se kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë konflikt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.