Gazeta Si – SPAK ka këruar dënimin me 11 vite burg për Leonard Luzin dhe 10 vite për Muharrem Koroveshin, të cilët dyshohen si persona që ishin të interesuar për vrasjen e Ines Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në korrik 2023 në Vlorë, për shkak të kontrollit të territorit të lojërave të fatit.
Për dëshmitarin e drejtësisë, Amarildo Nikolli alias Xhenje, Prokuroria e Posaçme kërkon që ai të vuajë burg 2 vite e 9 muaj.
Nikolli ka përfituar zbritje të dënimit për shkak të bashkëpunimit me prokurorinë, e ndërsa për Koroveshin dhe Luzin gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, ç’ka do të thotë që nga dënimi prej 11 vitesh i zbret në 1/3 e saj.
Hetimi i SPAK, ka provuar se Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ku shkak dyshohet të jenë përplasjet për lojërat e fatit.
Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori, si dhe Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.
Koroveshi dhe Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave, të cilët ishin objektivë të atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vrasja e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë” në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj Amarildo Nikollt nga policia, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.
Sipas dosjes hetimore, ditën e arrestimit të tij, i pandehuri Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit Leonard Luzi.
Pas arrestimit, Nikolli vendosi të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë duke fituar statusin e të penduarit.
Motiv për ngjarjen, SPAK thotë se ishte bërë hakmarrja dhe lufta për të kontrolluar lojërat e fatit në Vlorë, ndërkohë hetimet vijojnë për të identifikuar financuesin e atentatit të dështuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




