Gazeta Si - Kevin Hajrulla ka mbetur i plagosur rëndë në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të mërkure në Vlorë.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur dhe një kalimtar, Armand Spahiu 35 vjeç, i cili rezulton të punojë si tregtar shumice i fruta perimeve në zonën ku ndodhi ngjarja.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Drejtori i Policisë së Vlorës, tha se Kevin Hajrulla ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa Spahiu është jashtë rrezikut për jetën.
Kevini Hajrulla, 30 vjeç rezulton të jetë kushëri i largët i Inez Hajrullës, i cili i ka shpëtuar tre atentateve ndër vite dhe i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
“Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi Kevin Hajrulla, rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi Armand Spahiu, 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes" informoi policia e Vlorës.
Pas krimit autorët kanë djegur makinën në fshatin Panaja të Vlorës, në autostradën Vlorë-Fier. Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Sa i përket autorëve, nuk dihet asgjë. Automjeti i tyre u gjet duke u djegur pak minuta më vonë në autostradën Vlorë-Fier. Brenda mjetit policia gjeti 2 kallashnikovë dhe 2 krehëra kallashnikovi.
Kush është Inez Hajrulla, kushëriri i shënjestrës
Ndaj 32-vjeçarit Inez Hajrulla janë kryer dhe dy atentate të tjera. i arrestuar dy herë për armëmbajtje pa leje, i akuzuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013 por edhe i hetuar për pengmarrjen dhe zhdukjen e Elvis Troqes, 32-vjeçarin në vitin 2017 tentuan ta eliminojnë me tritol.
Në atë kohë vetëm 25-vjeçar tritoli shpërtheu në makinën në të cilën po lëvizte i riu ndërsa mbeti i plagosur.
Në vitin 2019 sërish një atentat ndaj tij dhe mikut Ervis Matodashaj. Sipas prokurorisë së Vlorës të dy ata qëndronin në ambientet e një lokali në Vlorë kur disa persona qëlluan me breshëri armësh në drejtim të lokalit.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës në atë kohë në atentat morën pjesë nëntë persona mes tyre dhe Fatmir Hyseni, i kërkuar edhe si autor i ekzekutimit të ish efektivit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në afërsi të ish-kinostudios në Tiranë po në vitin 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.