Gazeta Si – Një i vrarë dhe 3 të plagosur është bilanci tragjik i të shtënave me armë zjarri, të ndodhura në një lokal në fshatin Runik të Skënderajt në Kosovë. Sipas mediave atje, të shtënat ndodhën në mesnatë dhe viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur një 39-vjeçar. Bëhet fjalë për vrasjen e tretë brenda një javë në zona dhe ngjarje të ndryshme në Kosovë.
Kështu, të mërkurën në mbrëmje, dy persona të maskuar u futën në lokalin në fjalë dhe hapën zjarr në drejtim të viktimës duke e lënë të vdekur. Më pas ata u larguan nga vendi i ngjarjes.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafeteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Skenderajt.
Ndërkohë 3 të plagosurit u dërguan në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, njërit prej tyre në moshës 32-vjeçare mësohet se i është prerë këmba për shkak të plagëve të rënda.
Motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht nuk dihen.
Ky rast e çon në tre numrin e vrasjeve me armë zjarri të raportuara në javën e fundit në Kosovë. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas të shtënave në një lokal në Prishtinë, ku humbi jetën një person dhe u plagosën të paktën 16 të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




