Ka ndodhur

Atentat në Berat, shënjestra një ish-i burgosur. Policia gjen një makinë të djegur

Të shtëna me armë zjarri i janë drejtuar këtë pasdite automjetit të Altin Halilit në Berat në rrugën e fshatit Dushnik në tentativë për të vrarë 46-vjeçarin, por fatmirësisht nuk e ka prekur asnjë plumb.

Sipas burimeve, Halili është  qëlluar me 10 plumba në pjesën e pasme të makinës së tij. Dyshohet se kanë qenë dy autorë të cilët kanë qëlluar me automatik ‘Scorpion’ dhe kanë mbledhur gëzhojat.

Altin Halili është një person me precedentë të mëparshëm kriminalë pasi ka vuajtur një dënim prej 12 vitesh burg për një vrasje. Ai ka dalë nga burgu prej pak kohësh.

Gjatë kontrollit të zonës nga autoritetet, në fshatin Kozare është gjetur një automjet që po digjej që nuk  dihet se kujt i përket. Makina e djegur është tip “Hyundai“ në ngjyrë ulliri.

Dyshohet se autorët janë nga Fieri ndaj për kapjen e tyre janë angazhuar edhe forcat policore të Fierit dhe komisariateve në varësi.

Hetimi dhe operacioni për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit po vijojnë nën drejtimin e prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë