Ngjarje

Atentat me tritol në Sarandë, vdes 58-vjeçari. Dyshohet për hakmarrje pas konfliktit të të birit (video)

Nga Gazeta ‘SI’ – Një atentat me tritol ka tronditur mbrëmjen e kësaj të shtune qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3, ku një automjet është hedhur në erë me eksploziv.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, që është dëgjuar në të gjithë qytetin bregdetar, ka humbur jetën personi që ndodhej brenda makinës.

Sipas informacioneve, i vdekur ka mbetur Isuf Jaçaj, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat dhe autorët e mundshëm të atentatit.

Dyshohet se ai është vrarë për hakmarrje, pas një plagosje në të cilën u përfshi i biri i tij më 17 korrik, Klaus Jaçaj po në qytetin e Sarandës.

Ai ndodhet në burg dhe akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit, Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për tokat në bregdet.

Gjatë atij incidenti u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.

Ndërkohë, vetëm 3 muaj më parë, më 22 korrik, Klaus Jaçajt i hodhën në erë mjetin me tritol. Mjeti ishte i parkuar pranë një pallati, po në lagjen numër 3, në të njëjtën zonë ku babai i tij humbi sot jetën në një atentat me tritol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë