Gazeta Si - Një automjet shpërtheu rreth orës 14:00 këtë të hënë, teksa ishte në lëvizje në Shkozet të Durrësit, në një atentat të dyshuar me eksploziv.
Policia raporton se lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në gomën e pasme të një makine "Golf 6", në pronësi të Aldi Mustafës.
Në momentin e shpërthimit, 37-vjeçari ka qenë vetëm në automjet, por nuk pësuar lëndime dhe dëmet kanë qenë vetëm materiale.
Aldi Mustafa ndërkohë nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi njihet për lidhjet e tij me bandat dhe miqësinë me Aleksandër Lahon ose i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.
Ky i fundit një nga personat më të përfolur për ngjarjet kriminale, përfshirë edhe atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoj.
Muftafa në shtator të vitit 2021 ra në prangat e policisë si një nga 3 personat që kishte planifikuar një vrasje në Durrës, kundrejt pagesës.
Asokohe ai u arrestua bashkë me Uran Zykën dhe Tahir Gjinikën, madje Gjykata e Durrësit caktoi për të dhe dy shokët e tij masën e sigurisë "arrest në burg", por nuk dihet se në ç'rrethana ka lënë qelinë.
Në mjetin e tyre policia gjeti 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro. Shoferi i makinës ka qenë Aldi Mustafa.
Edhe më parë është dënuar me 10 vite burg për veprat penale, “Kanosja” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Sa i takon Aleksandër Lahos, alias Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si “Rrumi”, në nëntor 2022 SPAK ka lëshuar një urdhër-arrest për të pas akuzave për korrupsion për tjetërsimin e pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë hetimeve është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Kjo është masa e dytë në ngarkim të Aleksandër Lahos apo Landi Mharremit, pasi ky i fundit është edhe në kërkim policor për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë se vëllezërve Beqiraj, që dyshohen si vrasës me pagesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.