Ka ndodhur

Atentat në autostradën Tiranë-Durrës, vritet një 37-vjeçar në makinë. Para 6 vjetësh iu arrestua mamaja për kanabis

Gazeta Si – Një 37-vjeçar, Iljaz Çali është gjetur i pajetë brenda një automjeti fuoristradë tip “Land Rover”, me targa AB 998 AS, ku është ekzekutuar me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të së dielës, ku dyshohet se në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, përballë zyrave të DHL-së, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine.

Disa vite më parë, në 2016-ën, gjatë një operacioni të policisë, u gjet dhe sekuestrua në banesën e tij, rreth 682 rrënjë kanabis sativa. Asokohe Cali u shpall në kërkim, ndërsa nëna e tij, Xhemile Cali u arrestua për kultivim kanabisi. Aksioni u ndërmor nga blutë e shtetit, në korrik 2016, teksa policia kishte nisur krehjen e zonës pas supergrabitjes së miliona eurove në aeroportin “Nënë Tereza”.

Viktima Iljaz Çali

Trupi i pajetë u gjet brenda mjetit i vetëm, të cilin viktima e kishte marrë me qira, por nuk përjashtohet mundësia që në mjet të ketë qenë edhe një person tjetër, për shkak se dera e pasagjerit ka qenë e hapur.

Për këtë policia ka nisur hetimet dhe kontrollet në spitale për të plagosur, ndërsa dyshohet se atentati është kryer për larje hesapesh.

Pas atentatit me armë zjarri, mjeti ka lëvizur pa kontroll për disa metra duke përfunduar në anë të rrugës. . Policia thotë se rrethanat e kësaj ngjarje që në dukje është një atentat, janë ende të paqarta.

Fillimisht policia ka dyshuar per aksident, pasi mjeti është gjetur i ndaluar jashtë rruge, sepse ka humbur drejtimin, por pranë vendngjarjes janë gjetur disa gëzhoja arme.

Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë, janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë