Futboll

Atalanta rrëzon Juventusin, Roma ikën me turp nga Kupa

Dy ndeshje, dy surpriza të mëdha në Kupën e Italisë. Janë larguar nga kompeticioni dytë më i rëndësishëm i futbollit italian, Roma dhe Juventus. Kryeqytetasit janë larguar me turp nga Kupa e Italisë, duke u mundur thellë 7-1 nga Fiorentina. Por jo më pak e lehtë ka qenë disfata edhe për Juventusin që është mposhtur në fushën e Atalantës së shqiptarëve Berisha e Gjimshiti në shifrat 3-0.

Në “Artemio Franchi” është zhvilluar një nga ndeshjet më spektakolare të futbollit italian në vitet e fundit. Një Romë e shpërfytyruar ka treguar anën e saj më të keqe përballë një Fiorentine në super formë. Tre golat e Kiezës, dy të Simeones dhe dy të tjerë nga Muriel dhe Benasi i kanë dhënë një goditje të fortë Romës që këtë sezon po tregon një formë shumë të dobët, pasi edhe në kampionat është shumë larg objektivave. Nga ana tjetër Fiorentina vijon rrugëtimin e saj fantastik këtë sezon. Pas rezultateve pozitive në kampionat, për ekipin vjolë vjen edhe kjo fitore në Kupë që konfirmon rikthimin e këtij ekipi me traditë në futbollin italian.

Në gjysmëfinale Fiorentina ndoshta kishte pritur ekipin më të fortë, Juventus. Por edhe “zonja e vjetër”, ka dështuar në misionin e saj në Kupë. Torinezët u mposhtën nga Atalanta 3-0, që i dha shuplakën e parë për këtë sezon në Itali. Një pjesë e parë e dominuar nga Atalanta, e cila gjeti edhe dy gola, bëri që Juventus të kërkonte reagimin në pjesën e dytë. Pasi i rezistoi një presioni asfiksues, Atalanta shënoi edhe golin e tretë, vetëm 7 minuta nga fundi i lojës. Zapata ishte ylli i mbrëmjes me dopietën e tij, duke lënë në hije të gjithë “yjet” e Juventusit. Por edhe për dy lojtarët e ekipit kombëtar të Shqipërisë, Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti ishte një mbrëmje shumë e mirë dhe që të dy janë vlerësuar me nota të larta.

Përballja gjysmë finale mes Atalantës dhe Fiorentinës do të zhvillohet me dy ndeshje. Sakaq në gjysmë finalen tjetër mbetet për t’u caktuar se cila skuadër mes Interit apo Lacios do të vihet përballë Milanit që dje mposhti Napolin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë