Atalanta mundi Fiorentinën javën e fundit dhe tashmë qëndron e vetme në vend të 4-t. Një fitore me përmbysje falë golave të Zapatës dhe Malinovskit, të cilët e kanë çuar në 61 numrin e golave të shënuar në kampionat nga skuadra bergamaske. Në total, në të gjitha kompeticionet djemtë e trajnerit Gasperini kanë festuar 70 gola dhe e veçanta është se në asnjë rast autori i golit nuk ka qenë italian. Në majë të listës së golashënuesve qëndron Kolumbia me dyshen Zapata-Muriel, që ka shënuar 22 gola. Muriel ka shënuar 13 gola, ndërsa Zapata 9.
Ai që mban lart emrin e Sllovenisë tek Atalanta është Josip Iliçiç, i cili këtë sezon ka shënuar 15 gola. Ka shpërthyer në fund të dhjetorit dhe tashmë është i pandalshëm, me 8 gola në 7 ndeshje. Slloveni ka marrë me vete në shtëpi disa topa, falë tripletave, ndërkohë që është autor edhe i disa asisteve, por prej tyre nuk ka përfituar asnjë nga lojtarët e paktë italianë. Gjithsesi, tifozëve u interesojnë golat dhe fitoret.
Zbulimi i sezonit është Robin Gosens, mbrojtësi gjerman i krahut i përshtatur si mesfushor që ka shënuar 8 gola për Atalantën. Një shifër e lartë për lojtarin që luan sezonin e tretë me skuadrën e trajnerit Gasperini, por që këtë kampionat ka shpërthyer. Gosens ka një rendiment të jashtëzakonshëm edhe në nivelin europian. Statistikat e tij janë në nivelin e Aleksandër Arnold të Liverpulit.
Lider dhe flamur i skuadrës është pa dyshim kapiteni Papu Gomez. Argjentinasi është lojtari simbol i Atalantës, që ndodhet në vendet e para të klasifikimit falë grupit që ka krijuar. Merita të veçanta ka kapiteni Gomez, sepse përveçse është shoku i të gjithëve, ka shënuar edhe 7 gola këtë sezon.
Edhe kroati Pasaliç është një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Atalantës. Me 6 gola të shënuar ai ka treguar se është shumë i rëndësishëm për skuadrën jo vetëm me lojën e tij në mesfushë. Me golin e shënuar në një prej ndeshjeve më të kontestuara dhe më të rëndësishme, atë ndaj Napolit, Pasaliç ishte protagonist i kthesës së sezonit për Atalantën.
Situatë e ngjashme edhe për ukrainasin Malinovski, i ardhur në verë për shifrën e 14 milionë eurove. Një blerje klasike nga ato të Atalantës, që i shton organikës një lojtar gjysmë të panjohur për klubet e Europës. “Kura” e Gasperinit ka funksionuar në pak muaj dhe Malinovski është shndërruar në një emër të njohur, që mund të ndezë merkaton në verë.
Të dy me nga 2 gola, Freuler dhe Kastanje janë të vetëdijshëm se golat janë vetëm “qershia mbi tortë” në paraqitjen e tyre konstante në këtë kampionat. Nuk u kërkohet të shënojnë sa më shumë gola, por zvicerani dhe belgu kanë kontributin e tyre në “kooperativën” e golave dhe këtu ka të bëjë patjetër loja e skuadrës, që u lejon të gjithëve të shkojnë te porta kundërshtare.
Në kuotën e 1 goli janë protagonistët e tjerë të këtij sezoni të shkëlqyer, mes tyre edhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti, edhe ai një pikë kyçe në prapavijën e Atalantës. Në këtë grup, përveç Gjimshitit, bëjnë pjesë edhe holandezi De Run, Traore nga Bregu i Flidishtë dhe braziliani Toloi. Një skuadër multietnike Atalanta, një mrekulli i futbollit italian, por pa gola italianë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.