Atë që nuk mundi ta bënte Interi në fushën e vet, Atalanta e Berat Gjimshitit e ka bërë në Ukrainë. Një mrekulli i skuadrës nga Bergamo, që ka mundur 0-3 Shakhtar Donjetskun, duke siguruar kështu kualifikimin në fazën tjetër të Champions League. Me dy fitore në dy ndeshjet e fundit dhe një barazim ndaj Mançester Sitit, Atalanta ka kaluar grupin.
Një dorë për kualifikimin Atalantës ia ka dhënë edhe Mançester Siti i Guardiolës, që ka mundur 1-4 Dinamon e Zagrebit në Kroaci, edhe pse e kishte siguruar vendin e parë në grup. Kastanje, Pasaliç dhe Gosens kanë shënuar golat e fitores së skuadrës së Gjimshitit në Ukrainë. Në rastin e golit të parë, vendimtar ishte VAR-i, pasi fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje dhe më pas u konsiderua i rregullt nga teknologjia.
Berat Gjimshiti ishte titullar në këtë ndeshje. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare luajti 90 minuta, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë. Pa dyshim që ky është një sukses i madh në karrierën e Gjimshitit, i cili e sheh veten mes më të mirëve të futbollit europian. Atalanta është kualifikuar me 7 pikë, duke e lënë Shakhtarin në Ligën e Europës. Pas Juventusit dhe Napolit, skuadra e Gjimshitit është italiania e tretë që vazhdon aventurën në Champions.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.