Klasifikimi pas gjysmës së parë të kampionatit në Serinë A sa u takon ndeshjeve mes 7 skuadrave të para, që janë edhe pretendentet për titullin dhe Ligën e Kampionëve, sheh në krye Atalantën e Berat Gjimshitit, mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Gasperini ka marrë 11 pikë në sfidat me rivalët direkt, në vend të dytë është Milani me 10 pikë dhe pastaj Interin me 9 pikë. Lacio e Strakoshës ka grumbulluar 8 pikë në këto ndeshje, ndërsa Juventusi dhe Napoli i Hysajt nga 6 pikë, por kanë një ndeshje më pak. E fundit është Roma e Marash Kumbullës me 3 pikë në përplasjet me big-ët. Nëse vlera e një skuadre duhet të matet nga aftësia e saj për të administruar ndeshjet e rëndësishme, Atalanta do të ishte favorite për titullin kampion.
Bergamaskët kanë gabuar vetëm një herë në ndeshjet me rivalët, në “San Paolo” ndaj Napolit. Mund të veçohen dy fitoret 4-1 ndaj skuadrave të Romës, si dhe 0-3 në “San Siro” ndaj Milanit. Prova bindëse janë edhe dy barazimet me Juventusin dhe Interin. Nëse shtojmë edhe faktin se Atalanta ka shënuar 44 gola deri tani (vetëm Interi ka shënuar 1 gol më shumë), është e lehtë të imagjinohet se sa “djegin” barazimet me Xhenoan dhe Udinezen. Nëse do të ishin fituar edhe këto ndeshje, Atalanta do të ishte pretendente edhe më serioze për titullin.
Berat Gjimshiti është një kolonë e fortë e kësaj skuadre me një rendiment kaq të lartë. Mbrojtësi kuqezi po bën një kampionat shumë të mirë dhe këtë e vërtetoi edhe pak ditë më parë ndaj Milanit. Atalanta e tij mban vendin e 5-të, me 36 pikë, sa ka edhe Juventusi i vendit të katërt. Vendi i parë është 7 pikë larg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.