“Shqipëria do të ketë një fushatë të vështirë drejt botërorit pavarësisht emrave të kundërshtarëve – ky është opinioni i Astrit Hafizit që e drejtoi Shqipërinë në vitet 1997-1999. Ai e ilustron këtë me faktin se duke qënë në vazon e 3 të shortit, dihej që dy kundërshtarë do të ishin të fortë dhe Serbia ishte një skuadër e papëlqyer në ambjentin kuqezi. Një arësye tjetër që e bën skeptik Hafizin është paraqitja e kuqezinjve në edicionin e fundit në UEFA Nations League ku Shqipëria u rendit e fundit në grup.

Ai ka vërejtjet e tij për Sylvinho-n dhe jo vetëm. Nga trainerët e huaj që drejtuan dhe vazhdojnë ta drejtojnë Shqipërinë, Hafizi vlerëson vetëm kroatin e ndjerë Otto Barić ndërsa thotë se – “rinovimi i brazilianit i duket i pakuptimtë dhe në vazhdën e trajnerëve kalimtarë. Nëse do të llogarisim shpenzimet e bëra, mund të kishim bërë sakrificë për një trainer shumë të mirë që të mund të qëndronte për më shumë se 5 vite dhe ndërtonte një cikël te kuqezinjtë” – vazhdon shkodrani i stolit.

Sa i përket kualifikimit në fazën finale, Hafizi mendon se Kampionati evropian është më i mundshëm për tu arritur për shkak të numrit më të vogël të skuadrave evropiane që shkojnë në Kupën e Botës. Hafizi është kritik për mënyrën e rrjeshtimit të skuadrës nga Sylvinho për të cilin mendon se nuk i njeh mirë lojtarët. Ish traineri i kuqezinjve thotë se – “nisur nga dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në UEFA Nations League (priteshin 6 por u morën vetëm 2 pikë) ajo është e pabesueshme dhe nuk ka zhvilluar një ndeshje që mund ta konsiderojmë si model”.

“Skuadër pa identitet në një moment që lojtarët nuk mungojnë. Kjo tregon se traineri nuk ka njohuri për lojtarët dhe rrjedhimisht është ai përgjegjës për këtë situatë” – vëren Hafizi. Në mbyllje thekson paradoksin e një kampionati vendas të dobët dhe një Kombëtareje në antitezë. Diçka e rrallë kjo në futbollin e ditëve të sotme në Evropë dhe në Botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.