Ngjarje

Tiranë, vajza telefonon policinë dhe pretendon se u dhunua, por nuk e hap derën! RENEA hyn me litar nga dritarja, gjen armë e kokainë në banesën ngjitur

Nga Gazeta Si- Telefonata e një vajze rreth 20 vjeçe nga Elbasani me inicialet S.Q., alarmoi banorët e zonës së Astirit në Tiranë mesditën e kësaj të enjteje, kur u mbyll në apartamentin e marrë me qira ditore dhe kërcënoi se do të hidhej nga ballkoni për arsye ende të paqarta.

Pasi u nxor nga forcat RENEA, të cilëve iu desh të zbrisnin me litar nga tarraca e pallatit në katin e 8-të, gjatë kontrolleve u gjetën dy armë zjarri brenda një banese ngjitur me apartamentin në Astir, ku ishte ngujuar vajza, e cila pretendonte se ishte dhunuar nga disa persona.

Kjo banesë ku u gjetën armët rezulton të jetë marrë me qira nga i dashuri i saj, edhe pse në momentin e ndërhyrjes nga policia nuk kishte asnjë person.

Përveç armëve të zjarrit, mbi tavolinë u gjetën edhe gjurmë kokaine. Dyshohet se dy banesat ishin marrë me qira ditore nga i dashuri i vajzës së ngujuar.

Ngujimi në banesë

Pasi telefonoi policinë, e reja pretendonte se ishte dhunuar nga disa persona brenda një banese. Forca të shumta policore dhe shërbimet e tjera të emergjencës rrethuan zonën. Por vajza ishte mbyllur brenda banesës dhe nuk i hapte derën policisë dhe zjarrfikëses.

Negociatorët e RENEA-s por edhe babai i vajzës, tentuan gjatë prapa derës të bindin vajzën t’i lënë të futen brenda, por pa sukses.

Lidhje dashurie?

Pas disa minutash negociata me të, ndërhynë forcat RENEA nga dritarja brenda banesës. Në apartament ndodhej vetëm vajza dhe asnjë person tjetër, teksa e reja që alarmoi policinë ishte qetësuar dhe u nxor shëndoshë e mirë.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se e reja ishte në një romancë me një djalë, që familja nuk e pranonte, me pretendimin se ishte problematik. Ata jetonin në një banesë të marrë me qira (Airbnb), por së fundmi i kishin dhënë fund marrëdhënies.

Pas ngjarjes, mësohet se ka qenë babai i vajzës i cili kishte denoncuar se e bija ishte rrëmbyer, pistë që nuk rezultoi e saktë.

Armët dhe kokaina

Por në banesën ngjitur, policia që ndërhyri në kuadër të kontrolleve, gjeti 2 pistoleta mbi tavolinë. Të dyja banesat, me të njëjtin pronar, ishin dhënë me qira ditore. Pronari i banesave u pyet nga policia dhe sqaroi se këto banesa i kishte dhënë me qira ditore tek një person, që rezulton të jetë i dashuri i vajzës së ngujuar. Ai është shpallur në kërkim nga uniformat blu.

“Rreth orës 14:10, u bë hapja e derës së banesës nga Forcat “Renea”, nuk pati probleme. Shtetasja S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike. Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve të ngutshme hetimore dhe kontrollit të apartamenteve të tjera në pallatin në fjalë, në një banesë tjetër janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë. Brenda kësaj banese nuk janë gjetur persona në momentin e kontrollit”, – njoftoi policia e Tiranës.

Dyshimet e policisë

Dyshimet e policisë janë se në të dy apartamentet kanë qenë disa persona, të cilët mund të kenë konsumuar me orë të tëra drogë dhe alkool dhe nuk përjashtohet mundësia që e reja të ketë pasur halucinacione për shkak të tyre, por gjithçka mbetet ende e mistershme dhe dyshimet që do të faktohen ose jo vetëm pas ekspertizës.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe lokalizimin e të gjithë personave që së fundmi kanë qenë brenda 2 apartamenteve.

DVR me pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit, përfshirë parkingun dhe hyrje-daljet po ekzaminohen, në përpjekje për të gjetur identitetin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë