Kur duhen dhe pak ditë të mbërrijë Viti i Ri, agjencitë turistike kanë mbyllur prenotimet për festat e mëdha të fundvitit, 25 dhjetorin dhe 31 dhjetor-1 janar.
Sipas të dhënave të agjencive më të mëdha në Tiranë, këtë vit, shqiptarët kanë zgjedhur paketat ekonomike të Malit të Zi.
Prenotimet më së shumti janë për paketat në resortet e njohura në Budva dhe Ulqin.
E kontaktuar nga gazeta “SI”, përfaqësuesja e agjencisë turistike “Savatours”, në këtë fundvit nuk kanë munguar as prenotimet për të festuar Vitin e Ri në Turqi, Stamboll, ku njihet tha se edhe për Turqinë ka pasur kërkesa për prenotime,
“Destinacionet më të preferuara janë lidhur shumë dhe me pjesën e kushteve dhe rregullat e covid që kanë pasur vendet gjatë kësaj periudhe. Ka pasur kërkesa më së shumti për rajonin, Kolashini për Krishtlindjet, ose Stambolli që kanë si kusht për të lëvizur ose vaksinën ose test PCR. Por nuk kanë munguar kërkesat dhe për Dubai e Maldive si vitin e kaluar, që kanë edhe më shumë lehtësira për të lëvizur”, thotë përfaqësuesja e agjencisë “Savatours”.
Sipas saj, Evropa përsëri ka qenë e kufizuar sa i takon kushteve apo përkushtëzimi që duhet të kenë vaksinë apo PCR apo vende si Italia që e kanë vendosur Shqipërinë në listën e kuqe të vendeve që nuk lejohen udhëtime turistike deri më 31 janar, apo Austria që është mbyllur.
“Më së shumti prenotimet kanë qenë për vende që janë shumë afër në rajon si Mali i Zi, ku prenotimet janë mbyllur”, thotë përfaqësuesja e agjencisë turistike të njohur.
Sipas saj, paketat më të shitura në Malin e Zi janë ato me 3 net, 4 ditë për Krishtlindje apo Vitin e Ri që varioijnë nga 300 euro për person, 600 euro çifti.
Paketat më të shtrenjta janë në Dubai dhe Maldive ku paketa shkon minimum 1500 euro personi.
Por, masat shtrënguese të vendeve evropiane kanë dëmtuar turizmin dimëror në Shqipëri ku të dhënat e agjencive tregojnë për zero prenotime për festat e fundivitit të turistëve të huaj në Shqipëri.
I kontaktuar nga gazeta “SI”, kryetari i shoqatës së “Tur agjencive”, Kliton Gërxhani tha se prej muajit tetor nuk ka prenotime nga turistë të huaj që duan të festojnë në Shqipëri,
Sipas tij, shkak janë bërë masat e shtrënguara për mbrojtjen nga covid-19, të vendeve evropiane.
Gërxhani tha se ndryshe nga çfarë ishte menduar, numri i prenotimeve deri tani është 0.
“Asnjë kërkesë për paketa turistike në Shqipëri. 0 turistë të huaj që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik. Masat që kanë marrë vende si Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia kanë bllokuar lëvizjet dhe pas Krishtlindjeve pritet që masat të shtrëngohen edhe më shumë”, tha përfaqësuesi i “Tur-agjencive”, Kliton Gërxhani.
Sipas informacioneve, pas festave të Krishtlindjeve, Evropa do të përjetojë të tjera masa kufizuese duke mos lejuar lëvizjen e qytetarëve të saj jashtë territorit.
Shkak është bërë përhapja gjithnjë e më shumë e variantit më të ri të covid-19, Omicron, ku rastet e infektimit po rriten dita ditës në të gjithë vendet e Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.