Nga Gazeta ‘Si’- Avokatët mbrojtës të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë reaguar pas kërkesës së SPAK-ut për dërgimin e çështjes në gjykim, duke e quajtur të gjithë procesin hetimor “të montuar dhe të mbushur me shkelje të rënda proceduriale”.
Sipas mbrojtjes, Veliaj vazhdon të mohojë në mënyrë kategorike të gjitha akuzat që i janë bërë, ashtu siç ka bërë që prej fillimit të hetimit, dy vite më parë.
Ata shprehen të shqetësuar për atë që e quajnë shpërfillje të normave bazë të procesit të rregullt ligjor, duke theksuar se prokurorët nuk duhet të bëjnë deklarata që cenojnë prezumimin e pafajësisë.
“Deklarata e SPAK-ut duket e ndërtuar për të shkaktuar paragjykim maksimal, jo vetëm në publik, por edhe në gjykatë. Kjo sjellje përputhet me gjithë procesin hetimor: me shkelje sistematike, të përsëritura dhe serioze të ligjit”, thuhet më tej në deklaratë.
Avokatët e cilësojnë “masën e sigurisë të vendosur ndaj Veliajt si të jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale”, duke theksuar se ai ndodhet në ushtrim të një mandati kushtetues, të dhënë nga mbi 160 mijë qytetarë të Tiranës.
Në reagim thuhet se Veliaj është mbajtur sipas tyre me një masë ekstreme në burg, ndërsa hetimet kanë filluar nga një denoncim anonim dhe janë kryer në një periudhë 7 mujore pa ndonjë autorizim të vlefshëm ligjor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




