Kosova

Asnjë i vaksinuar nuk ka ndërruar jetë nga koronavirusi në Kosovë

Që prej nisjes së fushatës së vaskinimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Dita e hënë, më 23 gusht, ishte një prej ditëve me bilancin më tragjik për sa i përket numrit të personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës raportoi për 17 humbje jete në 24 orë.

Rastet e evidentuara të qytetarëve me COVID-19 , në veçanti në ditët e fundit, janë rritur, thotë Vishaj.

“Për 10 ose 12 ditë janë infektuar rreth 20 mijë qytetarë. Kjo i bie gati një e pesta e atyre që janë infektuar për një vit e gjysmë. Rrjedhimisht është i pritshëm edhe shtrimi i një numri të madh (të pacientëve). Ne, në datën 10 apo 12 gusht, në të gjithë Prishtinën kemi pasur diku rreth 25 deri 28 pacientë të shtruar. Sot jemi gati në mbushje të kapaciteteve. Është ardhje e përnjëhershme e një numri shumë të madh të pacientëve. Rrjedhimisht, kjo çon edhe në këtë shkallën e tanishme të mortalitet. Këto janë të gjitha të pritshme”, tha Vishaj.

Ai shtoi se ende është herët për të dhënë një përgjigje nëse varianti Delta i koronavirusit është më agresiv sesa variantet paraprake, pasi sipas tij, duhet të përcillen të gjitha rastet e reja deri në shërimin e tyre.

Por, epidemiologu Isuf Dedushaj shpreh mendimin që varianti Delta është më agresiv, Sipas tij, në tri valët e kaluara të pandemisë, mundësia e shpërndarjes së infektimit nga një person ka qenë te tre persona të tjerë, ndërkaq, siç thotë ai, me variantin Delta një person mund të shpërndajë infeksionin deri te tetë persona të tjerë.

Të vaksinuarit po i mbijetojnë virusit 

“Do të thotë është afërsisht trefish më agresiv, trefish është përhapja më e fuqishme. Ky është një prej faktorëve dominantë që po paraqet komponenti Delta. Kjo është brengosëse. Përfshin moshat më të reja, ku dominon mosha mbi 20 vjeç, pra 20 deri në 40 vjeç. Tani sikur të ishte vaksinuar popullata, të ishte arritur mbulimi i saj prej 60 deri në 80 për qind, nuk do të kishte shans që sëmundja të bëj kërdi ose të paraqitet në formë të ashpër, agresive ose masive”, tha Dedushaj.

“Asnjë i vaksinuar nuk ka vdekur nga koronavirusi”

Por, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se deri më tani, prej kur ka nisur të shtohet numri i pacientëve, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtruar rreth 140 pacientë të infektuar, prej të cilëve 13 kanë qenë të vaksinuar.

“Asnjë i vaksinuar dhe i shtruar (në spital) nuk ka përfunduar me fatalitet. Ne tani kemi dy probleme: problemin e komunitetit të pavaksinuar, i cili është problem madhor, sepse ata te ne paraqesin shumicën dhe problemin tjetër shumë të vogël te komuniteti i njerëzve që janë të vaksinuar. Ata që janë të vaksinuar, prej tyre, një përqindje shumë e vogël, preken nga virusi. Por edhe nëse infektohen, deri tani kemi parë që kalojnë më lehtë”, theksoi Vishaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë